
Foto: KFOR, Facebook
Komandanti i KFOR-it u takua me përfaqësuesin e UNDP-së, thekson përkushtimin për siguri në Kosovë
Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, më 27.01.2025 u takua me përfaqësuesin e UNDP-së (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim) në Kosovë, Nuno Queiros, në Shtabin e KFOR-it, në Prishtinë.
Sipas një njoftimi nga KFOR-i, Barduani theksoi përkushtimin e palëkundur të forcës që komandon për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.
Sipas njoftimit, vizita ishte pjesë e shkëmbimeve të rregullta të komandantit të KFOR-it me homologët e tij kryesorë në Kosovë.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.