Ilustrim KFOR - Veri - 27.09.2021

Komandanti i KFOR-it u bën thirrje të gjitha palëve që të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, është takuar sonte me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të diskutuar për situatën aktuale në Kosovë dhe tensionet për shkak të rezultatit të bisedimeve për çështjen e targave.

Sipas njoftimit të KFOR-it, komandanti u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës.

Ai u apeloi palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të marrin pjesë aktive në ruajtjen e sigurisë gjersa theksoi se është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri.

“Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, duke përfshirë Komandantin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Mbrojtjes së Serbisë” – thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se KFOR-i mbetet vigjilent dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij me të gjitha kapacitetet në dispozicion për një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit e Kosovës.

Nesër do të hyjë në fuqi faza e shqiptimit të gjobave për shoferët që nuk i kanë konvertuar targat e veturave nga ato ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Lidhur me çështjen e targave sot në Bruksel është janë zhvilluar bisedime disaorëshe mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por siç ka njoftuar ndërmjetësuesi Josep Borrell nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell tha sot se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe është pranuar nga presidenti serb, Akesandar Vuçiq.

Borrell tutje tha se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së, për mosrespektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.