Foto: Facebook/KFOR

Komandanti i KFOR-it takon kryetarin e Kamenicës pas hyrjes së trupave serbe në Karaçevë

Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, Komanda Rajonale Lindje, koloneli Eric Riley u takua sot me kryetarin e Kamenicës Qendron Kastrati.

Kjo vizitë vie pasi të premten pjesëtarë të xhandarmërisë serbe ishin futur në territorin e Kosovës përkatësisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet se në takim u konfirmua se patrullimet e KFOR-it në zonën e kësaj komune do të vazhdojnë në koordinim me institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Trupat e KFOR do të vazhdojnë patrullimin e tyre të rregullt në të gjithë zonën, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe organizata të tjera të sigurisë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Gjatë takimit, citon komunikata, u diskutua gjithashtu për ndikimin e pandemisë COVID-19 në komunitetet e Kamenicës, derisa KFOR-i po mbështet institucionet në Kosovë në të gjitha nivelet për t’iu përgjigjur kësaj emergjence.

“Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi, i cili ka qenë në kontakte të rregullta me zyrtarë të ndryshëm nga institucione të ndryshme në Kosovë, ripohoi angazhimin e misionit të udhëhequr nga NATO për të vazhduar të kontribuojë në një mënyrë të paanshme në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizje për të gjithë qytetarët në Kosovë, siç përcaktohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje, u diskutua edhe për bashkëpunimin e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të sigurisë.

“Bashkëpunimi midis KFOR-it dhe Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë është shumë efektiv dhe po rritet çdo ditë përmes mekanizmave të konsoliduar të koordinimit të përbashkët në nivele të ndryshme operative. Qëllimi është forcimi i mëtutjeshëm i mbrojtjes, sigurisë dhe lirisë së lëvizjes së të gjitha komuniteteve në Kosovë që KFOR-i dëshiron të sigurojë, në të mirë të sigurisë vendore dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftimin e KFOR.

Xhandarmëria serbe ka hyrë dy herë brenda këtij viti në fshatin Karaçevë

]