Komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, Foto: KFOR

Komandanti i KFOR-it: Po të mos ndërhynim tani do të mbanin zi për të vdekurit

“Po të mos kishim ndërhyrë tani do të mbanin zi për të vdekurit”.

Kështu ka thënë komandanti i KFOR-it, gjenerali italian  Angelo Michele Ristuccia, në një intervistë për “La Repubblica”, duke folur për situatën në veri të Kosovës.

Komandanti i forcës së NATO-s në Kosovë ka theksuar se në veri të Kosovës ka pasur profesionistë të cilët me dashje kanë nxitur turmën.

Ai ka folur për vendosjen e forcave të KFOR-it në qytetet në veri të vendit pas ngritjes së tensioneve që erdhën pas operacionit të Policisë së Kosovës për t’i shoqëruar kryetarët e rinj të komunave që të vendoseshin në ndërtesat komunale dhe të fillonin mandatin e tyre.

Për të kundërshtuar këtë operacion rreth ndërtesave të komunave janë mbledhur qindra persona, të cilët filluan aktet e dhunshme kundër Policisë, gazetarëve por edhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it që u vendosën ndërkohë.

30 ushtarë të KFOR-it janë lënduar, prej tyre 3 me armë zjarri, në sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të hënën e 29 majit.

19 prej këtyre ushtarëve të lënduar ishin hungarezë e 11 italianë.