Foto: Forca e Sigurisë së Kosovës, Facebook

Komandanti i FSK-së takoi shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka takuar shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjeneral Randy Alan George.

Ky takim ndodhi në Konferencën e Ushtrive Europiane, që u mbajt në Gjermani, ku Jashari u ftua nga gjenerali George.

“Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka udhëtuar për në Garmisch-Partenkirschen të Gjermanisë me ftesë të Shefit të Shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjeneral Randy Alan George për të marrë pjesë në Konferencën e Ushtrive Evropiane (CEA). Konferenca u organizua nën udhëheqjen e Gjeneralit Darryl Williams, Komandant i Ushtrisë Amerikanë për Evropë dhe Afrikë” – ka njoftuar FSK.

“Në kuadër të konferencës, gjeneral Jashari përveç takimit me Gjeneralin George, ishte pjesë e takimit multilateral me shtetet e përzgjedhura nga rajoni ynë, me ç’ rast falënderoj Gjeneralin George, Ushtrinë Amerikane dhe SHBA-të për përkrahjen e vazhdueshme për shtetin e Kosovës dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës” – ka njoftuar FSK.

Të dy gjeneralët, sipas njoftimit, janë pajtuar për rritjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes dy ushtrive, duke forcuar kështu sigurinë e përbashkët.