Komandanti i forcave tokësore ukrainase: Kundërofensiva e Bakhmutit fillon së shpejti
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e ka përsëritur thirrjen e tij për më shumë armë me rreze të gjatë nga aleatët perëndimorë të enjten. Duke folur në një samit të BE-së përmes videolidhjes, presidenti ukrainas i rrëfeu skenat “shkatërruese” që i kishte parë pranë vijës së frontit, ku luftimet kanë qenë më të ashpra. Udhëheqësit e BE-së miratuan një plan – të dakorduar nga ministrat e jashtëm të hënën – për të dërguar një milion predha artilerie në Ukrainë gjatë vitit të ardhshëm.
Udhëheqësit e BE-së zhvilluan bisedime të enjten me shefin e OKB-së, António Guterres, të fokusuar në sigurinë globale të ushqimit dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë. Pjesëmarrja e Guterres në samitin e BE-së erdhi disa ditë pas rinovimit të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia për eksportin e sigurt të grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi, i cili shihet si vendimtar për tejkalimin e një krize globale ushqimore.
Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen ka deklaruar se BE do të punojë për të gjetur 16,200 fëmijë ukrainas të deportuar në Rusi. Duke e quajtur atë një kujtesë të “kohëve më të errëta në historinë tonë”, ajo tha se vetëm 300 fëmijë janë kthyer deri më tani.
Dmitry Medvedev, zëvendëssekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ka thënë se marrëdhëniet e Moskës zyrtare me perëndimin kanë arritur në nivelin më të ulët historik. I pyetur nëse kërcënimi i një konflikti bërthamor është zbutur, Medvedev e ka mohuar një gjë të tillë duke shtuar se një rrezik i tillë veçsa është rritur edhe më shumë. Medvedev ka deklaruar gjithashtu se çdo përpjekje për ta arrestuar Vladimir Putin do të përbënte një shpallje lufte kundër Rusisë.
Hungaria nuk do ta arrestojë Vladimir Putinin nëse ai futet në Hungari, ka deklaruar shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orbán.
Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö, e ka nënshkruar legjislacionin për ta bërë vendin e tij pjesë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (Nato). Vitin e kaluar, Finlanda u përpoq të bashkohej me aleancën ushtarake në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe legjislacioni që përfshin traktatet themeluese të NATO-s u miratua në parlamentin në Helsinki më 1 mars.
Shefi i agjencisë bërthamore të OKB-së ka deklaruar se situata në termocentralin e Ukrainës në Zaporizhzhia “mbetet e rrezikshme” pasi një sulm raketor rus këtë muaj e shkëputi centralin nga rrjeti. Termocentrali më i madh bërthamor i Evropës ka nevojë për një furnizim të besueshëm me energji elektrike për t’i vënë në fuksion pompat që e qarkullojnë ujin për të ftohur reaktorët dhe pishinat që mbajnë karburant bërthamor.
Shërbimi i emergjencave shtetërore të Ukrainës ka deklaruar të enjten se i ka përfunduar përpjekjet e shpëtimit në Rzhyshchiv, rajoni i Kievit, ku tashmë dihet se nëntë persona vdiqën në një sulm me dron rus në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës.
Suspilne, transmetuesi shtetëror i Ukrainës, raportoi se granatimet të mërkurën në rajonin e Donetskut lanë të vrarë dy persona dhe plagosën katër të tjerë, ndërkohë që një person u vra dhe dy u plagosën në Kherson.
Gjenerali Oleksandr Syrskyi, komandanti i forcave tokësore të Ukrainë ka deklaruar se “agresori nuk heq dorë nga shpresa për të marrë Bakhmutin me çdo kusht, pavarësisht humbjeve në fuqi punëtore dhe pajisje”. Ai shtoi se Rusia po humb “forca të konsiderueshme” dhe se “shumë shpejt do të përfitojmë nga kjo mundësi, siç bëmë dikur pranë Kievit, Kharkivit, Balakliias dhe Kupianskit”, të gjitha zonat që Ukraina i ka çliruar më parë nga pushtimi rus.
Inteligjenca ushtarake britanike ka thënë se Rusia e ka rifituar pjesërisht kontrollin mbi afrimet në qytetin lindor të Ukrainës, Kreminna, pasi trupat e saj u larguan nga rajoni në fillim të këtij viti.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar të enjten se do ta diskutojë një plan paqeje për Ukrainën me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë një vizite zyrtare në Kinë javën e ardhshme.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ka folur të enjten kundër çdo dobësimi të sanksioneve kundër Rusisë në kuadrin e një marrëveshjeje për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi dhe bëri thirrje që G7 të shtrëngojë çmimin tavan të naftës për t’i shtrydhur më shumë të ardhurat e Rusisë.
Guvernatori i Floridës dhe kandidati potemcial për president të SHBA-ve në radhët e republikaneve, Ron DeSantis, e ka ndryshuar pozicionin e tij ndaj Ukrainës, pasi u përball me kritika të gjera duke e quajtur pushtimin rus një “mosmarrëveshje territoriale”. Kandidati i mundshëm për nominimin presidencial republikan tha se komenti i tij për “mosmarrëveshjen territoriale” ishte “karakterizuar keq”./The Guardian
Përgatiti: Nuhi Shala