Komandantët përmenden në Komisionin Hetimor për privatizimin

Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e privatizimit në Kosovën ka folur për perceptimin se mbrapa privatizimit është ‘dikush’ mbrapa.

Gazmend Bytyqi nga Partia Demokratike e Kosovës tha se Komisioni duhet ta qartësojë një herë e mirë se si ka ndodhë privatizimi.

“Edhe në diskutimin e herës kaluar, u tha se është një realitet në opinion që për çdo lloj privatizimi, ekziston dikush mbrapa. Ne duhet të qartësojmë se a janë komandantët e luftës dhe ne duhet ta ndriçojmë opinionin me informata. Dhe si të tillë duhet ta trajtojmë”, tha Bytyqi.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Bekë Berisha tha se në punën dhe hetimin e Komisionit nuk duhet të ketë paragjykime.

“Të mos ketë paraprakisht paragjykime, që me orientu hetimin. Ky është fillim i hetimit dhe si rezultat do të dalë kush ka pas ndikim në privatizim. Vetëm rezultati i një hetimi të mirëfilltë, e qartëson”, tha Berisha.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, tha se komandantët e luftës dhe UÇK-ja as nuk duhet me u përmend në këtë çështje.

“As që ka nevojë me u përmend çështja e luftës dhe e komandantëve. Është periudhë e pasluftës. Ndërsa nëse është motivi i komisionit hetimor, sepse konsiderohet që paragjyku dhe gjyku nga opinioni që ata kanë qenë shtytës të këtij privatizimi, atëherë pse duhet me e heq. Është në të mirën e përgjithshme që subjektet politike të dalin të pastra nga ky hetim”, deklaroi deputeti Aliu.

Kujtojmë që ky Komision është themeluar me kërkesën e PDK-së, kryesues është Hajrualla Çeku i Vetëvendosjes ndërsa anëtarë janë: Liburn Aliu, Hekuran Murati, Gazmend Bytyqi, Sejdi Hoxha, Bekë Berisha, Shkumbin Gashi, Doruntinë Maloku-Kastrati, Fidan Rekaliu, Fikrim Damka dhe Verica Ceranic.