Komandant "Shkupi" tregon pse erdhi nga Holanda për të luftuar në Kosovë

Sulmi që forcat serbe ndërmorën në Prekaz të Skenderajt më 1998 ka ngjallur reagime në botë e vazhdon të kujtohet ende.

Ky sulm bëri që edhe një shqiptar nga Kosova, 31-vjeçar, që jetonte asokohe në Holandë, të kthehet në Kosovë e t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bëhet fjalë për Ferid Berishën, i njohur si komandant “Shkupi”.

Berisha në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se pos ngjarjeve të tjera që e kanë bindur atë që të kthehet e të luftoj në Kosovë, ngjarja në Prekaz ka qenë ajo që e ka vulosur qëndrimin e tij për t’u bërë ose jo pjesë e UÇK-së.

“Kam qenë 31-vjeçar, kam qenë totalisht i pjekur, e kam ditë çka jam tu ba. […] Prekazi ka qenë vula që ma ka dhanë me ardhë me luftu”, ka thënë ai.

Berisha, që ka qenë pjesë e Brigadës 111 “Adem Jashari”, pjesë e Njësisë Speciale, ka treguar se nganjëherë vendimet e tij për t’i lënë gazetarët që të hynë në zonë të luftës nganjëherë i ka marrë “krye më vete”.

Një lëshim të tillë ai ka thënë se e ka bërë edhe për Belma Bajramin, ish-producenten e BBC-së.

Bajrami ka treguar se ka pasur raste kur vetë ushtarët e UÇK-së kanë kërkuar që këta gazetarë të incizojnë.

Rasti i njëjtë, sipas Bajramit, ka ndodhur në pjesën e Ujmirit.

“Na kanë pyet nëse mundemi me kalu në mes të asfaltit edhe me xhiru. Na i thamë po edhe hipëm në kerre që i kishim të blinduar  edhe kamerën e mbajsha anash me u dokë kinse po pushon kamera edhe kemi incizu se ku janë pozicionu edhe çka po ndodhë në rrugë edhe më kujtohet sa shumë ka pasë plumba”, ka thënë Bajrami.