Foto: Diego Molano/Facebook

Kolumbia konfiskoi 10 tonë kokainë, vlera mbi 300 milionë dollarë

Forcat e armatosura të Kolumbisë kapën 10 tonë kokainë të martën, dërgesa më e madhe deri tani këtë vit, dhe shkatërruan dy laboratorë droge në një mision kundër narkotikëve në juglindje të vendit, tha ministri i Mbrojtjes, Diego Molano, raporton Reuters.

Kokaina dhe laboratorët, të cilët i përkisnin rebelëve të majtë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN), u gjetën në një zonë rurale të komunës Samaniego, që ndodhet në provincën Narino të Kolumbisë pranë kufirit me Ekuadorin, tha Molano.

“Kjo është goditja më e rëndësishme për sa i përket kapjes së kokainës këtë vit”, tha Molano në një mesazh të regjistruar. “Dhjetë tonë do të bënin që ELN të merrte më shumë se 300 milionë dollarë.”

Pavarësisht dekadave të luftës kundër trafikut të drogës, Kolumbia mbetet prodhuesi kryesor global i kokainës dhe përballet me presion të vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara për të ulur sasinë e kokainës si dhe prodhimin e saj.

Trafiku i drogës ndihmon në financimin e grupeve të armatosura të paligjshme në Kolumbi në mes të një konflikti të gjatë të armatosur të brendshëm, i cili ka lënë më shumë se 260,000 të vdekur.

Sipas burimeve të sigurisë, përveç ELN-së, ish-anëtarët e guerilëve të çmobilizuar të FARC-së që kundërshtojnë një marrëveshje paqeje të vitit 2016 janë të përfshirë në trafikun e drogës, si dhe në bandat kriminale.

Ushtria dhe policia e Kolumbisë konfiskuan një rekord prej 505 tonë kokainë në vitin 2020.