Foto: Kolinda Grabar-Kitarovic

Kolinda Grabar- Kitaroviç del e dyta në zgjedhjet presidenciale

Kroatët sot kanë votuar për ta zgjedhur presidentin e ri.

Aktualisht presidentja aktuale Kolinda Grabar-Kitaroviç radhitet e dyta pas kundërkandidatit Zoran Milanoviq, ish-kryeministri socialdemokrat, njofton faqja zyrtare e numërimit të rezultateve.

Kur janë numëruar 99,15% e vendvotimeve, më i votuari është  kandidati Zoran Milanoviq me 29,53% apo 554.869 vota.

E dyta me 26,70 % apo në total prej 501.627 vota është presidentja aktuale Kolinda Grabar – Kitaroviç.

Sipas këtij rezultati, më 5 janar kroatët do të votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve, për dy kandidatët më të votuar.

I treti është këngëtari i njohur popullist Miroslav Skoro, i cili ka marrë 24,43% apo 458.954 vota.

Në garën për President të Kroacisë kanë qenë gjithsej 11 kandidatë, nga ta 8 burra dhe 3 gra. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar mbi 1 milion e 800 mijë votues apo 51,15%

Gruaja e parë që u bë presidente e vendit, 51-vjeçarja kishte marrë funksionet gjerësisht honorifike më 2015. Ajo po mbështetet nga HDZ (qendra e djathtë), e cila e dominon jetën politike që nga pavarësia më 1991.

Gjatë fushatës, presidentja e ka kaluar kohën sa te moderuarit e HDZ-së aq te krahu nacionalist i partisë së saj, i cili po ngashënjehet të votojë për folk-këngëtarin Miroslav Skoro.

Ky i fundit ka premtuar se do ta dërgojë ushtrinë në kufi për të penguar kalimin e migrantëve dhe se do ta falë një kriminel lufte.

Ndërsa, presidentja aktuale ka zgjedhur ta mbajë tubimin e fundit zgjedhor në Vukovar, qytet në kufi me Serbinë, i cili ka qenë arenë e një rrethimi vrastar nga forcat serbe në fillim të luftës së viteve 1991-1995, që u bë simbol i vuajtjes së kroatëve gjatë konfliktit.

Miroslav Skoros, i cili po prezantohet si i pavarur, i kreditohet pozita e tretë, me 18% të votave sipas një sondazhi të fundit, raporton AFP.

Me 24 për qind të përkrahjes, Kolinda Grabar-Kitaroviç është shumë afër me ish-kryeministrin socialdemokrat, Zoran Milanoviq.

Ky i fundit po llogarit në ndarjen e kampit konservator për të rritur epërsinë dhe premton ta bëjë Kroacinë një “vend normal” me një drejtësi të pavarur, e cila respekton pakicat.

Kundërshtarët e qeverisë aktuale të këtij vendi, shumica dërrmuese e popullatës e të cilit është katolike, e akuzojnë se ka organizuar zgjedhjet në prag të Krishtlindjeve për të përfituar votat e anëtarëve të diasporës, tradicionalisht pro-HDZ, të cilët kthehen për pushime.

Nga rreth 3.8 milionë votues, rreth 170 mijë jetojnë jashtë, sidomos në Bosnjë.

Kroacia sikur edhe vendet fqinje të Ballkanit po përballet me një eksod të banorëve, një fenomen që është përshpejtuar pas anëtarësimit të saj në BE më 2013.