
Kolektivi Feminist: Policia na ka gjobitur pas dy protestave kundër dhunimit
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se Policia e Kosovës i ka gjobitur aktivistët për prishje të rendit pas dy protestave të cilat u mbajtën kundër dhunimit të vajzave dhe grave, që si shkas patën dyshimet për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.
Sipas njoftimit, janë hapur tetë raste të cilat Policia dhe Prokuroria i kanë nisur në Gjykatë.
“Si përgjigje ndaj dy protestave tona “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, Policia e Kosovës na ka lajmëruar që na ka gjobitur. Protestuese/ë e bashkëorganizatore të protestës janë ftuar nga Policia nën arsyetimin se revolta jonë e përbashkët ndaj neglizhimit institucional në parandalimin dhe trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave, ka paraqitur prishje të rendit dhe ofendim ndaj institucioneve të Kosovës. Gjithësej janë hapur 8 raste të cilat Policia dhe Prokuroria i kanë nisur në gjykatë” – thuhet në njoftim.
Kolektivi Feminist thotë se kjo është përpjekje e shtetit për t’i heshtur dhe se sipas tyre, edhe në të kaluarën protestat e të njëjtëve janë konsideruar të paligjshme.
“Këtë përndjekje ne e konsiderojmë si një përpjekje tjetër të shtetit për të na heshtur dhe zmbrapsur. Gjobitja si mjet disiplinimi është metodë e njohur për ne. Edhe më parë protestat tona janë konsideruar si të paligjshme dhe të patolerueshme për shtetin. Përkundër tentativave për ta ndëshkuar për rezistencën tonë, ne kemi vazhduar të organizohemi dhe çdo ditë e më zëshëm ta denoncojmë dhunën e institucionalizuar ndaj vajzave dhe grave” – thuhet në reagim.
Më tej, Kolektivi Feminist është shprehur se përsëri do të protestojnë në rrugë, sheshe e institucione publike, siç është thënë në postim “deri sa të jenë të lirë ndaj dhunës institucionale”.
“Ne nuk frikësohemi nga tentativat e shtetit për të na heshtur. Ne nuk do i bindemi këtyre ndërmarrjeve patriarkale dhe do i kundërshtojmë deri në fund. Gjithashtu, ne e përsërisim ne do t’i zaptojmë edhe më tej rrugët, sheshet e institucionet publike, për t’i shndërruar ato në vatra të rezistencës tonë kolektive. Deri sa të gjitha/ë të jemi të lira/ë nga dhuna institucionale” – njofton Kolektivi Feminist.
Protesta e parë është mbajtur më 31 gusht, e cila si pikënisje e kishte Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të vazhduar më pas edhe para institucioneve të tjera të drejtësisë.
Ndërkaq, protesta e dytë për të njëjtin qëllim u mbajt këtë të mërkurë.