Sheshi Zahir Pajaziti - Prishtinë - Foto Naim Krasniqi - KALLXO

Kolektivi Feminist organizon në Prishtinë marsh solidarizues për popullin palestinez

Të premten në ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet një marsh solidarizues kundër spastrimit etnik popullit palestanez në Jerusalem, nga shteti i Izraelit.

Ky marsh është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

“Shtypja dhe mbajtja nën dhunë të vazhdueshme e popullit palestinez nga Izraeli fashist është cënim i të drejtave fundamentale dhe lirisë së popujve kudo, andaj dhe duhet kundërshtuar në mënyrë universale nga të gjitha/ë ne. Andaj, ne do të ngrihemi kundër padrejtësive dhe dhunës shtetërore, kudo qoftë ajo. Në solidaritet me popullin palestinez dhe rezistencën e tyre”, ka shkruar Kolektivi në thirrjen në Facebook.

Së paku 40 persona kanë vdekur në konfliktin e fundit mes forcave të Izraelit dhe militantëve palestinezë.

Të mërkurën në mëngjes, Izraeli kreu qindra sulme ajrore në Gaza, ndërsa grupi islamist Hamas dhe militantët tjerë palestinezë, qëlluan me breshëri raketash në drejtim të Tel Avivit dhe qyteteve tjera.

Jerusalemi ka qenë skenë e konfrontimeve të dhunshme midis hebrenjve dhe arabëve për 100 vite.

Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, në fillim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve. Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime.