Ilustrim

Kolegjit “Iliria” nuk i vazhdohet akreditimi, rrezikon humbjen e licencës

Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk ia ka rikthyer akreditimin institucional Kolegjit “Iliria”, pasi që një gjë e tillë ishte rekomanduar nga ekspertët ndërkombëtarë.

Vendimin KShC e ka marrë në mbledhjen e 25 qershorit. Ky Kolegj nuk kishte arritur të marrë akreditim as vitin e kaluar.

Ndërsa, sipas udhëzimit administrativ për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, neni 18, pika 11, thuhet se nëse institucioni i Arsimit të Lartë dështon të riakreditohet në nivelin institucional për herën e dytë, AKA do të njoftojë MAShT për të proceduar tutje me tërheqjen e licencës së institucionit.

KALLXO.com ka kontaktuar Kolegjin “Iliria” nëse kanë marrë informacion nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës në lidhje me këtë çështje.

Arber Reci nga ky kolegj nuk ka treguar për KALLXO.com nëse u është hequr licenca por, sipas tij, janë tërhequr nga procesi i akreditimit.

“Meqenëse konsiderojmë se kemi arritur standardet për vlerësim të nivelit ndërkombëtar, Kolegji ILIRIA për momentin është duke iu nënshtruar procesit të akreditimit nga agjenci ndërkombëtare e akreditimit, anëtare në ENQA dhe EQAR. Duke mos dashur që t’u nënshtrohemi dy proceseve të akreditimit njëkohësisht, Kolegji ILIRIA është tërhequr nga procesi i akreditimit në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, brenda afateve ligjore të përcaktuar në Udhëzimin Administrativ 15/2018, neni 16, pika 6 dhe 7”, tha ai.

Ai madje pretendon se do të arrijnë të marrin edhe akreditim ndërkombëtar.

“Meqenëse presim vendim për akreditim ndërkombëtar, besojmë se shumë shpejt vendimi do t’i jepet për validim Agjencisë së Kosovës për Akreditim si dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vazhdim të licencës”, tha Reci.

Por, në mbledhjen e 25 qershorit të KShC-së, anëtarët e KShC-së kishin vendosur që ta refuzojnë tërheqjen e Kolegjit “Iliria” nga procesi i akreditimit pasi, sipas tyre, një kërkesë e tillë ishte bërë dy ditë para se të mbahej mbledhja e KShC-së.

KALLXO.com ka dërguar edhe pyetje në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nëse janë duke ndërmarrë hapa për tërheqjen e licencës së këtij institucioni.

“Për këtë çështje ne kemi marrë njoftim nga AKA-ja. Për të gjitha veprimet në vazhdim do të respektohen afatet ligjore dhe do të veprohet sipas kornizës ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.