Burbuqe Berisha. Foto: MKRS

Kolegë e personalitete, flasin në kujtim të regjisores së ndjerë Burbuqe Berisha

Regjisorja Burbuqe Berisha ka vdekur sot në Prishtinë, në moshën 51 vjeçare. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, se regjisorja Berisha ka vdekur mesditën e sotme derisa ishte në objektin e Mistrisë.

Sipas MKRS-së, Berisha ishte angazhuar për të bërë regjinë e koncertit inaugurues për Operën e Kosovës.

Burbuqe Berisha ishte regjisore dhe profesoreshë në Kolegjin AAB. Ajo ka bërë regjinë e disa filmave dhe shfaqjeve teatrale.

Vlerësimet për regjisoren

Personalitete shtetëror dhe artistike, vdekjen e regjisores Berisha e konsiderojnë humbje për filmin dhe teatrit kosovar.

Në një postin në Facebook, presidentja e Kosovës, Vjosa Osamni ka shkruar se Berisha përfaqëson një brez krijuesish, të cilët u formuan në kohë rezistence dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas saj, duke e shndërruar artin në rezistencë e dëshmi.

“Puna e saj prej regjisoreje në Teatrin Kombëtar, në teatrin ‘Faruk Begolli’, por edhe në teatro të tjera, mbetet vulë e fuqishme në zhvillimin e teatrit, por edhe të jetës kulturore përgjithësisht. Krahas punës në teatër, Buqja ka dhënë kontribut të theksuar në edukimin e brezave të rinj, duke qenë pedagoge e respektuar”, ka shkruar ndër të tjerash në Facebook, presidentja Osmani.

Kurse, ministri I MKRS, Hajrulla Çeku, përmes një postim në Facebook, ka potencuar se regjisorja Berisha la pas një krijimtari të pasur filmike e teatrore.

“Ishte personalitet i veçantë i kulturës. Frymën e fundit e dha në Ministrinë e Kulturës. Kishte ardhur për punët përgatitore të koncertit të Operas, po e bënte regjinë e koncertit”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Ndërsa, aktorja dhe deputetja Adriana Matoshi ka shkruar se vdekja e regjisores Berisha ka lënë një boshllëk për komunitetin artistik.

“Na paska lanë Buqja fizikisht! Lajm shumë i rëndë për komunitetin tonë e boshllëk për gjithë në zemrat tona”, ka shkruar ndër të tjerash ajo.

Biografia

Regjisorja Burbuqe Berisha ka lindur në Shkup, ndërsa është shkolluar në Prishtinë. Studimet për regji i ka përfunduar në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Berisha ka bërë regjinë e filmave si: “Një tregim Prishtinë”, “Lexi në qytet”, “Suxhuk Open”, etj, por edhe të shumë shfaqjeve teatrale, si “Bretkosa”, etj.

Një kohë ka punuar në Kinemanë “ABC” në Prishtinë dhe në “Kosovafilm”. Ishte drejtoreshë e Përgjithshme dhe kryetar e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Regjisorja Berisha ishte drejtoreshë artistike e festivalit, “Prishtina Internacional Theater Festival”.

Kë qenë pjesë e shumë institucioneve kulturore dhe e jurive të festivaleve të shumta.

Për kontributin e saj në fushën e filmit, në viti 2019, Berisha është shpall fituese e Çmimit Kombëtar për Kinematografi.

Për vit me radhë ajo ishte mësimdhënëse dhe prodekane në Kolegjin AAB.