Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj

Kokaj: Punëtorët në QKUK rrezikohen nga rrezatimi sepse nuk kanë masa mbrojtëse

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj ka thënë se punëtorët shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të rrezikuar nga rrezatimi sepse nuk kanë masa mbrojtëse.

Kokaj ka thënë se punëtorëve në QKUK u mungon dozimetri – pajisje që bën matjen e ekspozimit ndaj rrezatimit.

“Dje isha në QKUK dhe pashë që makinat që bëjnë ekzaminimet qoftë CT, qoftë sentilimin bërthamor, aty punëtorët përreth nuk kanë dozimetra. Ajo është krim, është veprim kriminal ndaj njerëzve të pafajshëm atje, duhet t’i kenë dozimetrat, ata duhet të pauzojnë dhe të ushqehen me qumësht. D.m.th. nuk ka kurrfarë mbrojtje të rrezatimit” – ka thënë Kokaj.

Kokaj tutje ka thënë se në Kosovë ka brengosje të qytetarëve për rritje të numrit të kancerit tek njeriu.

“Në një interval shumë të gjatë kohor ka brengosje të qytetarëve që shpeshtësia e rritjes të numrit të kancerit të gjirit dhe pjesëve tjera të trupit të njerëzve në Kosovë është në rritje dhe fatkeqësisht nuk ekziston ndonjë analizë e thuket për këtë. Është në rritje sepse rritet ekspozimi, natyra e radiacionit të trupit të njeriut ka karakter kumullativ”-ka shpeguar Kokaj.

Deputeti i LVV-së, këto deklarata i ka thënë sot gjatë kohës kur në Kuvendin e Kosovës po shqyrtohej projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Kuvendi nuk ka pasur kuorum për ta kaluar në parim këtë projektligj.

Sipas memorandumit shpjegues qëllimi i këtij Ligji ka të bëjë me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve për racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive si në vijim: – Ligjit nr. 06/L-029 për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore dhe Ligjit nr. 06/L-079 për Efiçiencë të Energjisë.