Foto: REL

Koha të cilën duhet të presim për të zgjidhur rastet e alimentacionit

Gratë e ndara nga burrat apo anasjelltas kanë të drejtë që për mbajtjen e fëmijëve të tyre të kërkojnë pagesën e alimentacionit.

Në situata kur çiftet merren vesh për të bërë pagesën, alimentacioni realizohet me marrëveshje mirëpo për të garantuar që fëmijët apo të moshuarit kanë ushqim Ligji ka paraparë që institucionet shtetërore mund t’i obligojnë të paditurit që dhunshëm ta paguajnë alimentacionin.

Procedura e cila zhvillohet në gjykatë në kontest civil nis me propozimin e palës ndërsa në gjykatat e vendit kjo procedurë nuk ka shumë lëndë të pazgjidhura. Shembull, një grua e ndarë nga burri mund ta padisë burrin dhe t’i kërkojë të paguajë një shumë të parave për mbajtjen dhe ushqimin e fëmijëve.

Sipas Ligjit, kjo procedurë zhvillohet në gjykata ndërsa të dhënat tregojnë që disa gra tashmë e kanë fituar të drejtën dhe me vendime të gjykatave kanë filluar t’i marrin paratë.

Mbi 300 raste të kësaj natyre janë zgjidhur në tri vitet e fundit ndërsa të dhënat tregojnë që përafërsisht edhe aq lëndë presin zgjidhje.

Fillimi i vitit 2018 nisi me 114 lëndë të pazgjidhura të trashëguara, ndërsa të dhënat statistikore nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, tregojnë që gjatë këtij viti u pranuan në punë edhe 108 lëndë të alimentacionit.

Prej këtyre 222 lëndëve, për vitin 2018, 32 padi u aprovuan, një rast u zgjidh me marrëveshje, një rast me hedhje të padisë e një rast me tërheqje.

Viti 2018 u përmbyll me 161 lëndë të alimentacionit të pazgjidhura e vetëm 61 lëndë të zgjidhura.
Nëse e krahasojmë numrin e lëndëve të alimentacionit të zgjidhura për tre vite kuptojmë që numri i lëndëve të zgjidhura ka shkuar duke u ulur.

Në vitin 2016 gjykatat zgjidhën 114 lëndë të alimentacionit, në vitin 2017 numri u ul në 83 lëndë të zgjidhura, kurse në vitin 2018 ky numër u ul edhe më tepër, duke arritur me përmbylljen e vitit me vetëm 61 lëndë të zgjidhura.

Nga të dhënat arrijmë të analizojmë se ndër vite ka shkuar duke rënë edhe numri i rasteve të alimentacionit të zgjidhura me marrëveshje.

Përderisa viti 2016 u përmbyll me 7 raste të zgjidhura me marrëveshje, në vitin 2017 ky numër ra në 5, për të përfunduar me vetëm një rast të alimentacionit të zgjidhur me marrëveshje në vitin 2018.

Alimentacioni: Çka është alimentacioni dhe si zbatohet?

Mbajtja martesore ose alimentacioni është mbajtje financiare e bashkëshortëve apo ish-bashkëshortëve, e cila realizohet pas shkurorëzimit.

Bashkëshorti i cili nuk ka mjete të mjaftueshme për mbajtje financiare, i cili nuk është i aftë të punojë ose që për arsye tjera nuk mund të punësohet, ka të drejtë në mbajtje financiare nga bashkëshorti tjetër në proporcion me mundësitë e tij financiare.

Alimentacioni realizohet pas ushtrimit të padisë për alimentacion. Mirëpo jo në të gjitha rastet padia/kërkesa për alimentacion aprovohet.

Ka raste ku pas shqyrtimit të padisë/kërkesës, gjykata duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit mund të refuzojë kërkesën për alimentacion, nëse alimentacioni është kërkuar nga bashkëshorti me keqbesim ose nëse ai e ka braktisur bashkëshortin pa ndonjë arsye të bazuar.

Po ashtu, në rast se bashkëshorti i shkurorëzuar është në gjendje të mbajë veten nga të ardhurat apo nga prona e tij, ai nuk mund të kërkojë alimentacionin.

Alimentacioni mund të realizohet për mbajtje të bashkëshortëve, kujdes për fëmijët, për pleqësi, për shkak të sëmundjes ose paaftësisë, papunësisë etj.

Alimentacioni për kujdesin për fëmijën

Bashkëshorti i ndarë mund ta kërkojë alimentacionin nga bashkëshorti tjetër përderisa ai do të kujdeset dhe e mban fëmijën e përbashkët dhe për këtë arsye i bëhet e pamundur të punojë për shkak se duhet të kujdeset për fëmijën.

Alimentacioni për pleqëri

Bashkëshorti i ndarë mund të bëjë kërkesë për alimentacion ndaj bashkëshortit tjetër që nga momenti i shkurorëzimit, mbarimit të kujdesit dhe mbajtjes së fëmijës së përbashkët, përfundimit të kushteve të parashikuara për shkak të sëmundjes apo pamundësisë së krijimit të marrëdhënies së punës për shkak të moshës së tij të vjetër.

Alimentacioni për shkak të sëmundjes apo paaftësisë

Bashkëshorti i shkurorëzuar mund të bëjë kërkesë për alimentacion nga bashkëshorti tjetër nëse dhe që nga momenti i shkurorëzimit, mbarimit të kujdesit dhe mbajtjes së fëmijës të përbashkët, pamundësisë për të krijuar marrëdhënie të punës për shkak të sëmundjes, paaftësisë apo të metave të tij psikike apo mentale.
Alimentacioni për shkak të papunësisë, kërkesa për ndryshim

Për aq sa alimentacioni nuk mund të sigurohet për kujdesin e fëmijës apo pleqëri, bashkëshorti i shkurorëzuar mund të kërkojë alimentacion nëse dhe për aq sa ai nuk është në gjendje të gjejë punësim pas momentit të shkurorëzimit.

Në rast se të hyrat nga punësimi nuk i plotësojnë nevojat dhe ai nuk ka të drejtë për alimentacion për kujdesin e fëmijës apo pleqëri, ai ka të drejtë të kërkojë ndryshimin si alimentacion për të arritur mbajtje financiare.

Niveli i alimentacionit

Niveli i alimentacionit varet nga standardi jetësor në martesë. Mbajtja e gjendjes së jetesës kërkon gjithashtu shpenzime për sigurim të përshtatshëm shëndetësor dhe shpenzimet për arsimim të mëtejmë apo rikualifikim në rast se bashkëshorti i shkurorëzuar duhet të angazhohet për arsimimin e mëtejshëm apo rikualifikimin, nëse kjo është e mundur dhe e domosdoshme për të gjetur punë.

Kufizimi apo përfundimi i detyrimit

Padia për alimentacion mund të kufizohet apo të refuzohet. Kjo varet nga ajo se deri në çfarë mase kërkesa është e paarsyeshme.

Padia do të jetë e paarsyeshme nëse periudha kohore sa ka zgjatur martesa ishte shumë e shkurtër dhe nuk kishte fëmijë të përbashkët. Në këto raste, mbajtja jepet vetëm për një periudhë jo më të gjatë sesa që ka zgjatur martesa.

Kufizimi apo përfundimi i detyrimit ndodh edhe në rastet  kur do të ishte e padrejtë në rrethanat e dhëna.

Aftësia për alimentacion

Personat të cilët duke marrë parasysh të gjitha detyrimet tjera nuk janë në gjendje të japin alimentacion pa rrezikuar mbajtjen e tyre të arsyeshme, nuk janë të detyruar ta sigurojnë mbajtjen.

Detyrimi mbetet për aq sa ata janë në gjendje të sigurojnë alimentacion.

Detyrimi për informim reciprok për gjendjen financiare

Bashkëshortët e shkurorëzuar janë të detyruar t’i paraqesin njëri-tjetrit të hyrat dhe gjendjen financiare sipas kërkesës.

Rregulli i përparësisë te personat e detyruar

Detyrimin për alimentacion së pari e mban bashkëshorti i shkurorëzuar.

Nëse dhe derisa bashkëshorti i shkurorëzuar nuk ofron alimentacion të mjaftueshëm, detyrimi kalon njëjtë sikur mbajtja financiare, në të afërmit e të paditurit sipas radhës së trashëgimisë.
Forma e alimentacionit

Alimentacioni së pari duhet të bëhet në të holla.
Personi që ka detyrim të jap alimentacion mund të kërkojë leje nga organi i kujdestarisë ose gjykata që të lejohet të japë mbajtje në ndonjë formë tjetër nëse situata e veçantë e kërkon një gjë të tillë.

Të hollat duhet të jepen për çdo muaj në paradhënie. Në vend të pagesës mujore kërkuesi mund të kërkojë një shumë satisfaksioni. Kjo bëhet vetëm nëse ka baza të arsyeshme dhe kjo pjesë e shumës nuk do të rezultojë në një ngarkesë të pandershme te personi i cili është i detyruar të sigurojë alimentacion.

Ujdia

Bashkëshortët mund të lidhin ujdi për alimentacion pranë gjykatës në të cilën zhvillohet procedura për alimentacion.

Shuarja e të drejtës

E drejta e bashkëshortit të shkurorëzuar për alimentacion pushon kur kushtet e përcaktuara për dhënien e alimentacionit nuk zbatohen më, kur koha për të cilën gjykata ka përcaktuar alimentacionin kalon, kur bashkëshorti i shkurorëzuar i cili gëzon këtë të drejtë rimartohet ose hyn në bashkësi jashtëmartesore ose vdes.

Vazhdimi i të drejtave

Edhe në rastet kur vdes njëri nga ish-bashkëshortët, detyrimi për alimentacion nuk shuhet me vdekjen e personit të detyruar por kalon te trashëgimtari ligjor.

Mirëpo, në këtë rast, të gjitha kufizimet në vlerën e alimentacionit pushojnë dhe shuma përcaktohet sërish, varësisht nga aftësitë financiare të trashëguesit.

Rishfaqja e të drejtës për ta pranuar alimentacionin

Në rastin kur një person i cili ka të drejtë për alimentacion lidh martesë të re dhe kjo më vonë zgjidhet me shkurorëzim, dhe nëse ai kujdeset për fëmijën e përbashkët nga martesa e parë, ka të drejtë të paraqesë kërkesë për alimentacion ndaj bashkëshortit të mëparshëm.

Alimentacioni në rastet e anulimit të papritur të martesës

Në rast se martesa është anuluar, bashkëshorti i cili në kohën e lidhjes së martesës nuk i ka ditur arsyet e pavlefshmërisë së saj mund t’i kërkojë bashkëshortit tjetër që ta sigurojë alimentacionin nën kushtet në të cilat bashkëshorti i shkurorëzuar duhet të plotësojë kërkesën për alimentacion.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.