Forca e Sigurisë së Kosovës Foto: KALLXO.com

Koeficienti i pozitave në Forcën e Sigurisë së Kosovës në bazë të draft-projektligjit të pagave

Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës me draft-projektligj i ri për paga do të ketë koeficientin 15.4, ndërsa Gjenerallejtënanti do ta ketë koeficientin 14.5.

Pas shfuqizimit të Ligjit për pagat nga ana e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2020, tashmë është hartuar një draft-projektligj i ri. Sipas dokumentit që e ka siguruar KALLXO.com, në draftin e ligjit të ri koeficienti i ri do të jetë nga 1 deri në 20, ndryshe nga ligji i kaluar që e ksihte nga 1 deri në 10.

Në draftin e projektligjit të ri për paga nuk është përcaktuar vlera e koeficientit.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe deri në publikim të këtij artikulli, KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje nga kjo ministri për vlerën e caktuar të koeficientit por edhe se kush ka qenë në grupin punues të këtij drafti të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Sipas draft-rpojektligjit të ri për paga thuhet se “për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit. Përcaktimi i vlerës së koeficientit bëhet në pajtim me legjislacionin për menaxhimin e financave publike”.

Për shkak të mospërcaktimit të vlerës së koeficientit, KALLXO.com sjell vetëm koeficientin e pozitave të ndryshme nga rekruti deri te Komandanti i FSK-së në bazë të draft-projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Gjeneralmajori do të ketë koeficientin 14.2; Gjeneral brigade 13; koloneli 12; nënkoloneli 11; kapiteni 10.

Pozitat si rreshter major, rreshter major i komandës ose rreshter major i FSK-së, do të kenë koeficientin 9 ndërsa togeri, rreshteri i parë ose rreshteri master do të kenë koeficientin e pagës 8.2.

Nëntogeri dhe rreshteri i klasit të parë do të kenë koeficientin 7.3 ndërsa rreshteri shtabor do të ketë koeficientin 6.3; rreshteri 5.2; tetari/specialisti 4.5; ushtari i klasit të parë 4.2; ushtari 4 dhe rekruti apo kadeti i FSK-së koeficientin 2.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlfshëm.

Sipas këtij ligji, paga bazë konsiderohet ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të punës. Vlera kësaj page bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.