Koci: Pasi u rikthye në punë, hetuesit Idriz Gashi iu vazhdua suspendimi pa afat
Hetuesi policor Idriz Gashi, i cili u rikthye në punë gjatë ditës pas suspendimit që iu bë nga Policia e Kosovës, i është vazhduar masa e suspendimit.
Kështu ka njoftuar avokati i Gashit, Arianit Koci.
Përmes një njoftimi në Facebook, Koci ka thënë se Gashit i është rikthyer arma dhe legjitimimi policor sot, më 10.01.2025, në ora 12:22, pasi kishte përfunduar afati i suspendimit.
Koci pretendon se vazhdimi i suspendimit të Gashit i është dhënë përmes një vendimi të ri, të cilin Koci e vlerëson “të paligjshëm”.
“Megjithatë, pas përfundimit të orarit të punës, i është dorëzuar një vendim i ri, i paligjshëm, për vazhdimin e masës së suspendimit, pa afat dhe pa të drejtë ankese. Ky veprim përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi zgjatja e masës së suspendimit mund të bëhet vetëm brenda afatit të përcaktuar” – ka shkruar Koci në Facebook më 10.01.2025.
Koci konsideron se kjo situatë tregon qartë elemente të një persekutimi ndaj një hetuesi të angazhuar në trajtimin e rasteve më të mëdha të korrupsionit.
“Një shkelje e tillë është e papranueshme dhe cenon jo vetëm integritetin e Policisë së Kosovës, por edhe besimin në gjithë sistemin juridik të vendit” – ka përfunduar Koci.
Gjatë ditës, KALLXO.com raportoi për rikthimin në punë të hetuesit policor Idriz Gashi, të cilin e kishte njoftuar Koci.
“Drejtësia gjithmonë triumfon, dhe kësaj here, fatmirësisht, pa vonesë. Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka marrë pjesë në asnjë tubim elektoral. Si rezultat, siç kam parashikuar, rreshteri Gashi rikthehet në detyrat e tij policore”- kishte njoftuar Koci në Facebook.
KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi po ashtu se do të bëhet kallëzim penal në lidhje me pretendimet se Gashi mori pjesë në një aktivitet politik në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kallëzimi ende nuk është dorëzuar siç i ka thënë Kallxo.com avokati Koci.