Avokati Arianit Koci, Foto: Gazeta Jeta në Kosovë
Koci kërkon të ndalen spekulimet për rastin e Faton Hajrizit
Avokati i familjes së Faton Hajrizit, Arianit Koci përmes një postimi në Facebook ka kërkuar që të ndalen spekulimet lidhur me këtë rast.
Koci tha se spekulimet dhe intepretimet sipas tij amatoreske plot smirë dhe xhelozi, i kanë penguar në kryerjen e misionit të tij, kthimin e trupit të Hajrizit.
“Natyrisht, me më ndalë, nuk mundet askush. Por, prej sot, spekulimet duhet të ndalën. Familja Hajrizi po lëndohet dhe dëmtohet shumë” – tha avokati.
Tutje ai shtoi se kufomën të cilën e solli mbrëmë, 08.08.2024, është pa asnjë dyshim e Faton Hajrizit dhe se kjo është pohuar edhe nga nëna e Fatonit, gjatë procedurës së identifikimit.
Familjarët e Faton Hajrizit kanë identifikuar trupin i cili është dorëzuar nga autoritetet e Serbisë.
Kjo është konfirmuar nga Agron Thaçi, drejtor i Departamentit për laboratorë mjeko-ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Thaçi tha se trupi i vdekur është pranuar më 09.08.2024 në 01:00h.
“Është pranuar trupi i pajetë, i cili është i Faton Hajrizit, këtë po e deklarojmë pas urdhëresës që është bërë nga Prokuroria dhe pasi është identifikuar nga familjarët në praninë e mjekut kujdestar” – tha ai.
Tutje drejtori tha se për shkak të ndjeshmërisë të rastit dhe rrethanave, në konsultim me drejtorin e përgjithshëm në IML është formuar një komision tre anëtarësh prej ekspertëve mjeko-ligjor.
“Do të kryhet autopsia, pritet të filloj rreth orës 13:00 në prani të prokurorit dhe familjarëve” – tha ai.
I njëjti shtoi se sapo të përfundoj autopsia trupi mund të lirohet.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar mëngjesin e sotëm (09.08.2024) se trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tashmë ka mbërritur në Kosovë.
Dje, kjo ministri konfirmoi se i vrari nga policia serbe më 19.07.2024 është Faton Hajrizi.
Lidhur me rastin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Perteni ka thënë se për këtë ngjarje janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme që përcaktohen me ligj.
Ai tha se mbrëmë në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, ku edhe ka arritur trupi i personit të vrarë, ka dal edhe prokurori i rastin.
“Prokurori mbrëmë ka dal në Merdarë edhe ka urdhëruar që trupi fillimisht të identifikohet e mandej të bëhet autopsia” – tha zëdhënësi.
Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje dje, më 08.08.2024 për tërheqjen e trupit të pajetë, tha Leutrim Sahiti, këshilltar i ministres Donika Gërvalla për Kallxo.com
“Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë” – tha ai.
Sahiti tha se rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar.
Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu në Kosovë më 06.07.2024, ku po vuante një dënim me burgim.
Avokati Arianit Koci ka qenë në Serbi për të konfirmuar nëse i vrari është Faton Hajrizi dhe për të parë mundësinë e kthimit të trupit të tij në Kosovë.
“E konfirmoj. Trupin e pajetë e pashë. Tash mbetet me e konfirmu edhe ekspertët tanë“ – tha avokati Koci për KALLXO.com, më 08.08.2024.
Më 22.07.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se shenjat e gishtërinjve që janë pranuar nga autoritetet në Serbi janë përputhur me ato të Faton Hajrizit.
Hajrizi dyshohet se u vra në Serbi një ditë pas një incidenti gjatë të cilit ishte vrarë një polic serb dhe ishte plagosur një tjetër.