Koci e Vokshi: Me paralajmërimin për padi ndaj Shpresa Loshajt, kemi kërkuar tërheqjen ose korrigjimin e deklaratave të saj

Pas raportimit nga KALLXO.com lidhur me paralajmërimin për padi ndaj përfaqësueses së organizatës joqeveritare “Pishtarët” në Deçan, Shpresa Loshaj, nga ana e avokatëve të kompanisë “Kelkos Energy”, Arianit Koci dhe Granit Vokshi, kanë reaguar këta dy të fundit.

Në reagimin e tyre të publikuar në rrjetin social Facebook nga avokati Koci, thuhet se: “Lajmi në fjalë pasqyron në mënyrë jo të plotë situatën faktike dhe i njëjti përmban të vërteta gjysmake. Për sqarim të opinionit duhet të theksohet se me kërkesë të kompanisë të cilën ne e përfaqësojmë, një personi, i kemi drejtuar qëndrimin e klientit tonë lidhur me disa deklarata të cilat i njëjti i konsideron si të pavërteta dhe të cilat kanë pasur për qëllim dëmtimin e reputacionit të tij. Ashtu siç mund të kuptohet nga letra e dërguar, ne kemi komunikuar në emër të klientit duke e ruajtur nivelin etik dhe profesional, e gjithmonë duke vepruar në përputhje me kërkesat ligjore që rrjedhin nga Ligji Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes – i cili kërkon që para parashtrimit apo zgjerimit të padisë, një person që pretendon të jetë i dëmtuar, duhet të kërkojë që deklaratat e tilla të tërhiqen dhe/apo korrigjohen”.

Reagimi i plotë i avokatit Arianit Koci dhe Granit Vokshi:

Sqarim!

Duke pasur konsideratën më të lartë për lirinë e shprehjes, si persona të apostrofuar në lajmin e titulluar “Aktivistja e kërcënuar me padi e shoqërisë civile i shkruan qeverisë së Austrisë për betejën kundër hidrocentraleve në Deçan” të prodhuar nga portali Kallxo, konsiderojmë se duhet të sqarohen disa rrethana për të gjithë ata që janë të interesuar në këtë temë.

Lajmi në fjalë pasqyron në mënyrë jo të plotë situatën faktike dhe i njëjti përmban të vërteta gjysmake. Për sqarim të opinionit duhet të theksohet se me kërkesë të kompanisë të cilën ne e përfaqësojmë̈, një̈ personi, i kemi drejtuar qëndrimin e klientit tonë lidhur me disa deklarata të cilat i njëjti i konsideron si të pavërteta dhe të cilat kanë pasur për qëllim dëmtimin e reputacionit të tij. Ashtu siç mund të kuptohet nga letra e dërguar, ne kemi komunikuar në emër të klientit duke e ruajtur nivelin etik dhe profesional, e gjithmonë̈ duke vepruar në përputhje me kërkesat ligjore që rrjedhin nga Ligji Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes – i cili kërkon që para parashtrimit apo zgjerimit të padisë̈, një̈ person që pretendon të jetë i dëmtuar, duhet të kërkojë që deklaratat e tilla të tërhiqen dhe/apo korrigjohen.

Ajo çka është me rëndësi të thuhet, është se letra e shpalosur në këtë lajm, e që thuhet se i është dërguar Ambasadës Austriake nga një pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile, nuk është letra ndaj të cilës klienti ynë ka reaguar! Ky është detaj shumë i rëndësishëm që ky lajm dështon ta identifikojë. Për sqarim të opinionit, letra ndaj së cilës ka reaguar klienti, përmban një gjuhë tërësisht ndryshe nga letra e dërguar në Ambasadë. Sa për ilustrim – letra ndaj së cilës ka reaguar klienti ynë, përmban edhe paragrafin si në vijim:

“Ata kanë korruptuar shumë zyrtarë, kanë bërë marrëveshje prapa dyerve dhe kanë kërcënuar dhe frikësuar ata që nuk mund të korruptojnë. Thjesht, ata sillen si një bandë që drejton një ndërmarrje të paligjshme […].”

Të gjithë avokuesit e lirisë së shprehjes që dëshirojnë të bëjnë vlerësim objektiv të rrethanave, e dinë mirëfilli se një pretendim i tillë i pambështetur me bazë të mjaftueshme faktike dhe me prova konkrete nuk mbulohet me të drejtën e fjalës së lirë – pa marrë parasysh se nga kush vjen dhe pa marrë parasysh kauzën – sado që legjitime mund të jetë ajo. Për pretendime të tilla nuk mjafton vetëm legjitimiteti eventual i kauzës për të cilën avokohet. Këtë nuk e themi ne, por e thotë Gjykata Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Se klienti ynë ka pasë të drejtë në reagimin e tij, më së miri provohet nëpërmjet faktit se shkresa e dërguar në Ambasadë në krahasim me atë të propozuar, pëson një ndryshim rrënjësor – pikërisht në pikat për të cilat klienti ynë ka shprehur shqetësimet. Andaj, kërkesa e klientit për korrigjim të shprehjeve ka rezultuar të jetë e bazuar dhe ajo është pranuar nga vet personi të cilit i është adresuar.

Për të gjithë laikët e drejtësisë, duhet të sqarohet se paralajmërimi për padi është mjet paraprocedural, me të cilin mëtohet të arrihen interesat juridike të palës pa hyrë në proces gjyqësor- pra është e drejtë Kushtetuese që ju takon individëve. Të quhet paralajmërimi në padi “shantazh”, është padituri themelore e praktikës dhe teorisë juridike, gjë të cilën e kemi vërejtur në disa shkrime të publikuara nga persona që pretendojnë se e njohin ligjin dhe që kanë mbajtur dhe ende mbajnë poste të rëndësishme publike. Këto shkrime, që karakterizohen me referenca tërësisht të gabuara juridike, vetëm se e shpërfaqin injorancën e thellë që këta persona e kanë për konceptet bazike të drejtësisë, apo në alternativë – e manifestojnë pandershmërinë e tyre në analiza dhe trajtime profesionale. Kur injoranca apo pandershmëria profesionale bëhet element i avokimit në kauza të rëndësishme publike, ka rrezik që vet kauza të humbë në legjitimitet.

Të gjithë ata që njohin punën tonë ndër vite, e dinë mirëfilli angazhimin tonë në mbrojtjen e fjalës së lirë. Kjo manifestohet në faktin se ne jemi avokatë të mediave me prezencën më të madhe në tregun medial në Kosovë. Aktualisht kemi më shumë se pesëdhjetë (50) raste të ndryshme në të cilat jemi të angazhuar në mbrojtje të mediave. Po ashtu, të gjithë ata që e njohin punën tonë, janë të vetëdijshëm për angazhimet pro-bono që i bëjmë në mbrojtje të kauzave të rëndësishme për shoqërinë – përfshirë këtu përfaqësimin e shumë OJQ-ve. Rrjedhimisht, ne kemi njohuri të thellë për konceptin e padive SLAPP – dhe të njëjtat i luftojmë në baza të rregullta në punën tonë të përditshme. Rasti në fjalë është larg të të konsideruarit si Padi SLAPP vrojtuar nga të gjitha kriteret e saj.

Për fund, duhet të thuhet se roli i avokatëve nuk është konstatimi i përgjegjësisë ligjore e morale të klientëve të cilët i përfaqësojnë, e po ashtu fenomeni i padrejtësisë, si fenomen shoqëror, nuk është as barrë e as konsekuencë e avokatisë. Avokatia është profesion i lirë dhe kategori kushtetuese. Sulmet personale ndaj avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë në drejtësi. Kjo përveçse përbën thirrje me tendenca anarkiste, e njëjta mund të rezultojë në pamundësinë e subjekteve për të siguruar ndihmë juridike nga profesionistët – për shkak të hezitimit/frikës së këtyre të fundit nga reagimi shoqëror që mund të marrin duke përfaqësuar klientët që veprojnë në sektor të ndjeshëm. Kjo është po aq e rrezikshme sa kufizimi i lirisë së shprehjes.

Prishtinë, 1 korrik 2020

Arianit Koci, avokat

Granit Vokshi, avokat