
Kandidatët për deputetë, Arsim Gërxhaliu dhe Bernard Tahirbegolli. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Koalicioni për Familjen premton rreth 450 milionë euro buxhet për shëndetësinë
Kandidati për deputet nga Koalicioni për Familjen, Bernard Tahirbegolli, në “Debat Përnime”, më 26.01.2025, ka shpalosur programin zgjedhor për sektorin e shëndetësisë.
Sipas tij, shëndetësia do të trajtohet me prioritet nëse koalicioni i tyre vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Tahirbegolli ka deklaruar se në kuadër të reformave në shëndetësi përfshihet përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore, ngritja e cilësisë së shërbimeve, themelimi i Agjencisë për Akreditim të Institucioneve Shëndetësore si dhe digjitalizimi i sistemit shëndetësor.
“Ne kemi planifikuar zgjerimin e mbulueshmërisë shëndetësore, përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e sigurisë së pacientëve. Pastaj themelimin e Agjencisë për Akreditimin e Institucioneve Shëndetësore; themelimin e Institutit të Ekselencës Klinike; mbajtjen dhe zhvillimin e stafit shëndetësor në Kosovë, digjitalizimin në shëndetësi, kthimin e imazhit të Kosovës prej një vendi që jep turizëm shëndetësor jashtë vendit, në një vend që pranon turizëm shëndetësor”- tha Tahirbegolli.
Tutje, ai premtoi se do të fuqizohet edhe konkurrenca mes sektorit privat dhe publik të shëndetësisë. Kjo, sipas tij, do të mundësohet përmes Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ai tha se parashihet të rritet edhe numri i stafit që punojnë në këtë institucion.
“Këtij Fondi ka me iu rritë stafi dhe ka me ba kontrata me spitale. Na kemi nevojë me nda ofruesin prej blerësit të shërbimeve, se aktualisht jemi tu i marr prej një xhepi e tu i shti në tjetrin”- tha ai.
5% e GDP-së(Bruto Produktit Vendor), apo rreth 450 milionë euro pritet të jetë buxheti për sektorin e shëndetësisë nëse me vendin do të udhëheq Koalicioni për Familjen.
“Aktualisht e kemi rreth 3.8 ose 3.9 të GDP-së buxhet për shëndetësi, që është diku 358 milionë. Ne këtë do ta rrisim në 5 për qind të GDP-së, që është diku 450 milionë euro. Përveç kësaj, përmes premiumeve që do të paguajnë qytetarët do të arrijmë 150 milionë në vit të mblidhen. Na duhet me rritë këtë që me arrit te 8 për qind e GDP-së, që me qenë konkurrentë me shtetet tjera europiane”- tha Tahirbegolli.
Ndërkaq, sa i përket reformave në aspektin menaxherial, ai tha se kjo do të bëhet në bazë të vlerësimeve vjetore, deri sa pati edhe kritika për mënyrën se si ka vepruar Qeveria Kurti në këtë sektor.
“Me Ligjin që e ka propozuar Qeveria e kanë shty që më shumë me e kap shtetin. Odat e Mjekëve, të Stafit Shëndetësor kanë kompetencë për licencim dhe rilecencim. I njëjti ligj thotë që ministri me emëru drejtorin. Drejtori duhet e u emëru në bazë të një procesi konkurrues të drejtë që e vendos komisioni e jo ministri”- tha Tahirbegolli.
Ndërsa, Klinika Emergjente që është në ndërtim e sipër, sipas tij, me pakë fonde mund të rikthehet në një Qendër Nacionale të Traumës. Kjo, sipas tij, pritet të jetë në funksion brenda vitit 2026.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: