Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Foto: Facebook

Koalicioni LDK-AAK-NISMA lë jashtë çështjen e zgjedhjes së Presidentit

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë me partnerët e ri të koalicionit nuk e kanë diskutuar çështjen e pozitës së presidentit.

Gashi ka thënë që kjo pozitë është diskutuar me LVV-në për shkak që kanë planifikuar dy mandate qeverisëse, prandaj edhe ka qenë e pashmangshme të diskutohet një gjë e tillë.

“Sa i përket kandidatit për president nuk jemi në atë pikë me qenë se më Lëvizjen Vetëvendosje kemi pas një qasje të ndërtimit të një koalicioni gjithëpërfshirës mundësisht me një skenar të qeverisjes, 4 plus 4 nuk kemi mujt me anashkalu çështjen e presidentit, tashmë nuk kemi një skenarë të tillë qeverisës dhe çështja e presidentit nuk është trajtuar në këtë koalicioni”, tha Gashi.

I pyetur nëse presidenti Thaçi do të ketë edhe një mandat, Gashi tha se ‘nuk besoj se do të ketë një mandat tjetër’.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur shumë vështirësi për arritjen e marrëveshjes së koalicionit pikërisht për shkak të pozitës së presidentit, kjo për shkak që presidentit aktual Hashim Thaçit i mbaron mandati vitin e ardhshëm.

Të dy këto parti pas më shumë se dy muajsh bisedime patën vendosur që çështjen  e presidentit ta lënë për diskutim në kohën do të i mbaronte mandati presidentit Hashim Thaçi.

Mirëpo pas rrëzimit të qeverisë Kurti, LDK-ja ka vendosur që të bëjë koalicion me AAK, Nisma, LS si dhe disa deputet të pakicave.