
Kandidatët e AAK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Koalicioni AAK-Nisma zotohet për ndërtimin e rezervarëve të ujit dhe digave të reja
Kandidati për deputet, Fatmir Matoshi, në emisionin “Debat Përnime” ka prezantuar disa nga planet e koalicionit AAK-Nisma për ruajtjen e ambientit në vend.
Ky koalicion, sipas tij, ka prioritizuar përmirësimin e gjendjes së ambientit dukë vënë në fokus: ujin, ajrin, trajtimin e ujërave të zeza, mbrojtjen e Parqeve Nacionale si dhe mirëmbajtjen e shtretërve të lumenjve.
“Do të jenë tri-katër fokuse tonat në fushën e ambientit, e që mendoj që duhet të jenë fokus jo vetëm i qeverisë së ardhshme, por edhe i qytetarëve. Angazhimi [do të jetë i koncentruar] në përmirësimin e gjendjes në këto fusha: uji, ajri, trajtimi i ujërave të zeza, mbrojtja e Parqeve Nacionale dhe shtimi i rezervave ujore për vendin” – tha Matoshi.
Në kuadër të prioriteteve të tyre, sipas tij, do të jenë edhe planet për ndërtimin e digave të reja në disa pjesë të Kosovës.
“Ka ende punë që duhet me u bë edhe në aspektin e përgatitjes me plane, me projekte që duhet me u bë për Digën e Dragaqinës, Digën e Skenderajt, Digën në Shusht, në Llapushnik dhe digave tjera të ujit që janë jashtëzakonisht të nevojshme për vendin tonë”, ka deklaruar Matoshi.
Ai ka kritikuar partin në pushtet- Lëvizjen Vetëvendosje, për mosjetësimin e këtyre projekteve.
”Në katër vitet e fundit ne vetëm kemi dëgjuar fjalë, lokacione e vende ku do të ndërtohen digat, dhe një muaj ose dy pas saj kemi parë se po në të njëjtat vende shpallën tenderë për asfaltim rrugësh”- tha Matoshi.
Përveç digave, ai përmendi edhe nevojën për ndërtimin e rezervarëve të ujit.
“Jemi vendi dukshëm më i varfër në Europë për rezerva ujore. Ne duhet me fillu sa më parë ndërtimin e rezervarëve të ri të ujit”- tha ai.
Në kuadër të projekteve që janë paraparë nga Koalicioni AAK-Nisma që të realizohen për mbrojtjen e ambientit është edhe mirëmbajtja e shtretërve të lumenjve.
“Kosova është në rrezik edhe nga vërshimet. Kemi paraparë mirëmbajtje të shtretërve të lumenjve. Fatkeqësisht shpesh po përballemi me vërshime si pasojë e mospastrimit të shtretërve të lumenjve”- tha ai.
AAK-Nisma ka planifikuar edhe mbrojtjen e ambientit nga ndotja e ajrit që vjen nga veturat.
“Do të fillojmë implementimin e pullës mjedisore për veturat. Gjashtë muaj pas fillimit të implementimit në plotni të pullës mjedisore atëherë mund të flasim edhe për zgjatje të afatit për veturat e importuara nga 10 deri në 15 vjet. Sepse tash veturat edhe pse po importohen, e janë veç 10 vjet të vjetra, prapë se prapë 40 për qind e ndotjes është duke u shkaktuar prej tyre”- tha ai.
Gjithashtu, pritet të ketë edhe reforma në institucionet që kanë në mbikëqyrje ambientin.
Nëse AAK-NISMA do të marrin drejtimin e Qeverisë, Matoshi thotë se Agjencia për Zhvillimin e Mjedisit do të ketë nën mbikëqyrje pyjet brenda Parqeve Nacionale.
“Shumë prona në parqet tona nacionale menaxhohen nga Agjencia e Pyjeve, ndërkohë që Agjencia për Zhvillimin e Mjedisit ka vetëm rol raportues. Kemi një përzieje të kompetencave. Pyjet brenda Parqeve Nacionale duhet me i marrë Agjencia për Zhvillimin e Mjedisit në plotni”- thotë Matoshi.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi se: “Rrugët nuk janë mbrri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit- e mbeturinave është në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë më u kry nuk është përfundu”.
Për më shumë lexoni në tekstin në vijim: