Koalicioni AAK-Nisma premton dyfishimin e pagave në Shëndetësi

Kandidati për Deputet nga koalicioni AAK-Nisma, Shemsedin Dreshaj, në “Debat Përnime”, më 20.01.2025, premtoi se me “ardhjen në pushtet”, në fokus do ta kenë dyfishimin e pagave për punonjësit e sektorit shëndetësor dhe krijimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Veç kësaj, sipas tij, do të punohet edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të punës në sektorin e Shëndetësisë.

“Me përkushtim do ta kemi dyfishimin e pagës, përmirësimin e kushteve në punë, do të krijojmë Fondin për Sigurime Shëndetësore, që kërkon kohë dhe pa strategji nuk punohet.” – tha Dreshaj.

Nëse AAK-ja do të qeverisë pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit, sipas tij, hapi i parë do të jetë decentralizimi i shërbimeve shëndetësore, ndërsa hapi i dytë, formimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore.

I pyetur se kur do të realizohet ky Fond, ai u përgjigj, se fillimisht kërkohet krijimi i disa parakushteve për përmbushjen e këtij premtimi.

“Fondin për Sigurime Shëndetësore, iu kisha thënë për me e lënë pak, për shkak se ky është problem. Me pasë qenë lehtë e kishin themeluar ata para këtyre që kanë ardh. Së pari duhet të krijohen parakushtet. Nuk edukohen brenda natës 400 veta. E pa i pasë 400 inspektorë të trajnuar nuk mundesh me fillu. Ne mundemi me grumbullu pare, por nuk mundemi me fillu implementimin [e Fondit]”- tha Dreshaj.

Ndërsa, kolegu i tij, Arbër Tolaj, tha se Fondi për Sigurimin Shëndetësor do të bëhet brenda mandatit qeverisës.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Dyfishim pagash, digjitalizim dhe zgjerim të Listës së barnave esenciale: Plani i AAK-së për shëndetësinë