Kandidatët e AAK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza: KALLXO.com

Koalicioni AAK-Nisma parasheh buxhet të veçantë për realizimin e Kontratës Kolektive

Reformë kurrikulare në arsimin parashkollor dhe parauniversitar, pavarësi financiare të Universiteteve dhe ndërtim të Kampusit Universitar në qytetin e Gjilanit, janë disa nga premtimet që koalicioni AAK-Nisma zotohet se do t’i përmbushë – nëse arrin ta marrë pushtetin për katër vjetët e ardhshme.

Kandidati për deputet nga radhët e këtij koalicioni, Mensur Neziri tha se do bëhet një analizë e teksteve shkollore, me qëllim që ato të përshtaten me aftësitë kuptimore të nxënësve.

“Do të bëjmë një analizë, pasi tekstet shkollore jo çdo herë janë të përshtatshme me aftësitë kuptimore dhe me rezultatet që janë të përcaktuara me kurrikula. Si pasojë e kësaj kemi rezultate të dobëta në testin PISA.” – ka theksuar Neziri, në “Debat Përnime”, më 14.01.2025.

Neziri foli edhe për Kontratën Kolektive, duke e cilësuar si të gabuar qasjen e Qeverisë aktuale ndaj këtij problemi.

Sipas tij, AAK ka planifikuar buxhet të veçantë për realizimin e Kontratës Kolektive.

Ndërsa sa i përket pavarësisë financiare, Mensur Neziri tha se do të “insistojmë që të rrisim buxhetin në fushën e shkencës dhe hulumtimit, në mënyrë që Universitetet të gjenerojnë të hyra me interes vendor dhe ndërkombëtar”.

Kandidati i AAK-së, Mensur Neziri; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

Nëse e merr drejtimin e Qeverisë, koalicioni AAK-Nisma premton nisjen e procedurave për ndërtimin e Kampusit në qytetin e Gjilanit.

Ndërsa, Universitetet rajonale në Kosovë pavarësisht numrit të vogël të studentëve, sipas Nezirit, do të vazhdojnë të funksionojnë.

“Këto Universitete do të profesionalizohen në fushat e tyre për nga rajoni që ato vijnë. Numri  i studentëve ka ra edhe si shkak i akreditimeve.  Jo, ato nuk mbyllen. Ato vazhdojnë punën me 10, 15 apo 30 studentë, sepse ashtu janë të akredituara.” – tha Neziri.

Në anën tjetër, integrimi në sistemin arsimor i nxënësve serbë dhe i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, sipas AAK-së, do të bëhet në përputhje me Ligjet dhe Rregulloret që i ka Kosova.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Plani për arsimin i koalicionit AAK-Nisma: Rritje të pagave për mësimdhënësit dhe digjitalizim të shkollave