KMShK: Në artikujt për Jeta Xharrën u shkel etika gazetareske

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, ka aprovuar tre ankesat e gazetares Jeta Xharra, kundër portaleve Gazetaexpress, Kanal 10 dhe Fakte Plus, të cilat kishin bërë lajm një opinion të gazetarit Valon Syla.

Syla në dhjetor të vitit 2020 në rrjetin social kishte publikuar një postim i cili pretendonte se Xharra po favorizonte mafinë e importit të energjisë nga Republika Serbe dhe Serbia.

Postimi i gazetarit Syla, ishte publikuar në disa portale dha pas këtij publikimi Xharra ka iniciuar padi për shpifje ndaj Sylës, për deklarata të rrejshme, ndërsa për portalet që kanë raportuar pa verifikuar faktet dhe nuk kanë ofruar të drejtën e përgjigjes, është iniciuar ankesa në KMShK.

Në ankesën e saj, Xharra ka pretenduar se portalet Gazetaexpress, Kanal 10 dhe Fakte Plus, e injoruan krejtësisht mendimin e anës tjetër dhe u mjaftuan vetëm në opinionin e Valon Sylës që ta “lidhin” znj. Xharra me mafinë e energjisë në Serbi. Madje këto portale, nuk kishin marrë as qëndrimet publike të mëhershme të Xharrës, e cila ishte deklaruar për akuzat e njëjta të kryera nga Shoqata për Energji të Ripërtritshme. Linku ku mund ta lexoni qëndrimin.

KMSHK konstatoi se këto tre portale, kishin shkelur kodin etik të mediave në momentin kur e kishin publikuar artikullin dhe nuk i kishin dhënë mundësi në përgjigje gazetares Jeta Xharra.

“KMShK ka miratuar ankesën e Jeta Xharrës kundër portalit Kanali10.live lidhur me artikullin e publikuar me titull “Valon Syla: Lobimi i Jeta Xharrës dhe Haki Abazit po favorizon importuesit e energjisë nga Serbia”. KMShK vendos se media nuk i ka dhënë ankueses të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç është e paraparë edhe në Kreun IV (E drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave”, thuhet në njoftimin e KMSHK-së.

Të njëjta janë edhe vendimet për Gazetenexpress dhe portalin Fakte Plus.

Kodi Etik i Mediave të shkruara kërkon nga çdo media që ta respektojnë të drejtën për t’u përgjigjur në mënyrë që artikulli të jetë i pa anshëm.

Pas këtyre vendimeve, KALLXO.com, u është drejtuar portaleve në fjalë, për të marrë qëndrimin e tyre.

Portali Fakteplus e ka larguar artikullin pas vendimit të KMShK-së, njëjtë ka vepruar edhe portali Kanal10.live i cili menjëherë pas kontaktimit, e ka larguar artikullin.

Ndryshe nga to, portali Gazetaexpress akoma nuk e ka larguar artikullin me titull “Syla: Lobimi i Jeta Xharrës dhe Haki Abazit po favorizon importuesit e energjisë nga Serbia”, edhe pse KMSHK konstatoi se i njëjti është në kundërshtim me kodin etik.

Leonard Kërquki kryeredaktor në portalin Gazetaexpress ka thënë se akoma nuk e ka parë vendimin dhe do të veprojnë sipas atij vendimi.

“Ai është opinion, KMSHK e bënë dallimin mes lajmit dhe opinionit, në bazë të ç’kafit duhet me ju dhanë e drejta në përgjigje në opinione. Unë së pari nuk e di se për cilin shkrim po bëhet fjalë, e shoh vendimin dhe konform tij, ne veprojmë, nuk kemi asnjë qëllim”, ka thënë Kërquki.

Në fakt, Komiteti i Gazetarëve për Lirinë e Mediave thekson se “nëse nuk ka fakte për të mbështetur një opinion të dikujt, apo nëse këto fakte janë të pavërteta, ky opinion nuk mund të mbrohet ligjërisht”.

Kodi Ndërkombëtar i Etikës së Gazetarëve gjithashtu thotë qartazi në pikën 9 se gazetari është përgjegjës që shpërndarja e ‘informatës apo opinionit të mos kontribuojë në urrejtje apo paragjykim në baza gjeografike, sociale, etnike, racore…”.

Jeta Xharra, ko-autorja e hulumtimit për abuzimin me skemën e energjisë solare, sqaroi se pikërisht shpërndarja e qëllimshme e dezinformatës se kinse ajo po favorizonte importin e rrymës nga Serbia, ka për qëllim pikërisht këtë, nxitjen e urrejtjes ndaj saj.

“Kjo fushatë kundër nesh, ka filluar pasi që ne kemi publikuar hulumtimin që nxjerr në pah se si Blerim Devolli e ka fshehur pronësinë e disa kompanive energjetike duke i regjistruar në Maltë, vetëm për të përfituar ndihmë shtetërore nga taksapaguesi kosovar katër herë më shumë se që i lejohet një biznesmeni të fitojë me rregulla të Kosovës, duke abuzuar kështu me skemën e subvencionimit shtetëror të energjisë solare”, tha Xharra.

“Ndërsa këto 3 portale kanë zgjedhur të mos thonë asnjë fjalë për atë hulumtim, por kanë vendosur ta publikojnë një ‘opinionin’ totalisht të rrejshëm, që thotë që unë e paskam favorizuar importin nga Serbia – kuptohet që qëllimi ka qenë të stigmatizohem unë si ‘e Serbisë’ e indirekt të mbrohet oligarku që ka abuzuar me skemën për energji solare, të cilën, në fund, ja ka ndal edhe gjykata edhe parlamenti duke u bazuar edhe në faktet që i kemi prezantuar në hulumtimin tonë”, shtoi Xharra.

Këto vendime të KMSHK-së janë marrur në dy mbledhjet e bordit të kësaj organizate, të mbajtura më 27 janar dhe 18 prill të këtij viti.

Vendim_KMSHK_1074-2021 vendim_KMSHK_1075-2021 vendim_KMSHK_1099-2020