MEDIA-PRESS

Foto: Shqipron Halimi

KMShK dhe AGK kundërshtojnë përfshirjen e përmbajtjes online të mediave në KPM

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e kanë parë me shqetësim mundësinë e rregullimit të përmbajtjes online të mediave nga ana e Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

“KMShK, si mekanizëm vetërregullues që përfaqëson mediat e shkruara dhe online dhe AGK, si organizatë që përfaqëson gazetarët, kundërshtojnë çdo përpjekje dhe çdo iniciativë, nga kushdoqoftë, për përfshirjen e përmbajtjes online të mediave si pjesë e mekanizmit rregullues nga institucione shtetërore”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Poashtu në reagim është sqaruar se KMShK vendosë për ankesat e qytetarëve edhe për mediat online.

“KMShK është mekanizmi i vetëm në Kosovë që merret me etikën e mediave të shkruara dhe online (gazetat, mediat online, revistat, agjencitë e lajmeve) dhe vazhdimisht vendos për ankesat e qytetarëve dhe institucioneve në lidhje me shkeljet e etikës nga mediat e shkruara dhe online”, thuhet tutje aty.

KMShK dhe AGK kanë kundërshtuar çdo përpjekje që mediat onine të jenë pjesë e ligjit për KPM.

“KMShK dhe AGK kundërshtojnë fuqishëm çdo përpjekje dhe iniciativë për futjen e etikës së mediave të shkruara dhe online si pjesë e ligjit për KPM-në. Iniciativa të tilla janë në kundërshtim të hapur me rregullat ndërkombëtare të gazetarisë dhe frymën e gazetarisë të instaluar në Kosovë tash e një kohë”, thuhet tutje aty.

Tutje sipas AGK-së dhe KMShK-së ‘secila nga mediat e shkruara (online apo të shtypura) duhet të japin përgjegjësi për veprimet e tyre para organeve shtetërore, bazuar në ligjet përkatëse, por fillimisht vlerësimin e etikës së tyre nuk mund ta bëjë askush më mirë se vetë mediat për media, apo profesionistët e fushës’.

Tutje në reagim është theksuar se një iniciativë e tillë nuk i ndihmon as mediat e as gazetarët.

“Iniciativat për kontroll dhe vlerësim të etikës për mediat e shkruara dhe online nga një organizatë shtetërore janë të dëmshme dhe nuk iu ndihmojnë mediave dhe gazetarëve”, thuhet tutje aty.

Dje Xhevat Latifi, kryetar i Komisionit të Pavarur për Media, ka paraqitur Raportin vjetor të institucionit që drejton për vitin 2020, në Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie i Kuvendit të Kosovës.

Latifi, gjatë kësaj mbledhjeje, ka thënë se duhet një ligj të ri i KPM-së i cili pos tjerash, duhet të përfshijë përbrenda edhe portalet audio-vizuele që të jenë në kuadër të këtij institucioni.

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar, ai tha se “jemi dëshmitar të një gjendje toksike të fjalorit të mediave në Kosovë”.

“Kur e përmendim çështjen e ligjit të ri të KPM-së, pikërisht është pjesa audio-vizuele e portaleve të futet në kuadër të trajtimit të KPM-së”, tha ai.

Ndërsa në një prononcim për KALLXO.com Latifi tha se para Komisionit parlamentar, ai ka paraqitur kërkesat e shoqërisë e jo qëndrimin e tij e as të KPM-së.

“Unë kam thënë që në ligjin e ri do të ishte mirë që të përfshihen edhe portalet që merren me produkte audio-vizuele. Në ligjin e ri, jo tash. Jo të gjitha portalet, por ato që merren me pjesën audio-vizuele. Është vetëm kërkesë. Ne veç po e matim opinionin, shqetësimet e njerëzve. Nuk mund të themi se është formësuar kjo ide. Unë e kam paraqitur mendimin si shqetësim të shoqërisë, nuk mund të themi se është mendim i imi apo qëndrim i KPM-së, por si shqetësim i shoqërisë tonë”, tha Latifi për KALLXO.com

Kryetari i KPM: Kërkesë e shoqërisë që portalet audio-vizuele të hyjnë në kuadër të KPM-së