Foto: KALLXO.com

KMSHK bën thirrje për kujdes në raportimet për fëmijë

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka shprehur shqetësimin rreth një videoje të publikuar sot në disa media online, në të cilën shihet një vajzë e mitur që rrihet nga një burrë.

Video e shpërndarë në rrjete sociale e portale të shumta shfaq vajzën teksa goditet nga një burrë, pa u mbuluar fytyra e saj.

KMSHK ka kërkuar nga mediat që të respektojnë Kodin e Etikës sa i përket raportimit për fëmijë, duke hequr videon dhe duke pasur kujdes se si raportohet në të tilla raste.

KMSHK po ashtu ua ka kujtuar mediave se qasja e tillë dëmton fëmijët dhe nuk i ndihmon një raportimi profesional.

Goditja e vajzës së mitur nga i rrituri dyshohet se ka ndodhur në parkun e Taukbahçes në kryeqytet.