KMLDNJ kërkon hetimin e veprimeve të Policisë gjatë arrestimit të aktivistëve të PSD-së

Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar hetimin e veprimeve të Policisë gjatë arrestimeve të aktivistëve të PSD-së.

KMDLNJ-ja, përmes një komunikate për media ka thënë se nuk ka qenë e njoftuar për këtë aktivitet dhe për këtë nuk ka dërguar monitorues. Por sipas tyre, sipas pamjeve që janë publikuar, duket se gjatë arrestimit policia ka përdorur forcë në shpërpuuthje me rrezikun e paraqitur.

“Për këtë arsye , KMDLNj kërkon nga Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë hetime nëse Policia ka tejkaluar autorizimet zyrtare duke përdorur forcë të tepruar”, thuhet në komunikatë.

Tutje, KMLDNj ka thënë se e përkrahë çdo protestë paqësore që është në përputhje me ligjin, si instrument demokratik për realizimin e të drejtave të njeriut. Ata, e kanë konsideruar si të papranueshme dhunën, sipas tyre, ndaj protestuesve dhe pamjet janë shqetësuese.

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) janë arrestuar sot gjatë aksionit të tyre për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

PSD përmes rrjetit social “Facebook” ka kërkuar urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë.

Arrestohen tetë aktivistë të PSD-së (FOTO)