KMDLNJ, Veteranët e luftës të mos kalojnë në Serbi, mund të arrestohen

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një komunikate ka kërkuar nga veteranët e luftës që të mos kalojnë nëpër Serbi, për shkak se sipas ka pasur raste kur janë arrestuar shqiptarë që kanë kaluar nëpër Serbi.

“Për shkak të marrëdhënieve të pavendosura midis shteteve dhe për shkak se zyra ndërlidhëse nuk ka pasur qasje në këto raste, të arrestuarit nga Kosova kanë mbetur nën mëshirën e avokatëve që iu kanë marrë shuma të mëdha parash”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se në bazë të kërkesave të Serbisë në Interpol, një numër i shqiptarëve janë arrestuar në shtetet perëndimore dhe ka pasur rrezik të ekstradohen në Serbi. Në mesin e të arrestuarve në shtetet perëndimore ka pasur udhëheqës të lartë ushtarak të UÇK-së dhe udhëheqës të lartë politikë në Kosovë, presidenti, kryeministri, ministra, etj.

Sipas KMDLNJ-së Serbia e ka marrë komplet listën e veteranëve të luftës së ish UÇK-së në mënyrë që , nëse iu ofrohet mundësia, t’i arrestojnë dhe t’i detyrojnë të japin dëshmi të rrejshme apo t’i shndërrojnë në bashkëpunëtorë.

“Për këtë arsye, KMDLNj bënë thirrje publike që të gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës çlirimtare apo që e kanë ndihmuar luftën, në asnjë mënyrë të mos udhëtojnë nëpër Serbi sepse lehtësisht mund të arrestohen dhe të kushtëzohen me lirim, në kundërvlerë të dhënies së informatave që i duhen Serbisë”, thuhet në komunikatë.