Foto: Ilustrim

KMDLNj reagon pas vendimit të ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vendosjen e bllok tarifave në 800 kilovatë.

Sipas KMDLNj ky vendim rrezikon shumicën e familjeve në Kosovë sidomos në kohën e dimrit duke shtuar se ndarja në mes konsumatorëve që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë dhe më shumë është diskriminues.

“KMDLNj kishte kërkuar të ketë rritje lineare dhe të jetë e përballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës ndërsa vetëm gjendja ekonomike do të duhej të ishte përcaktues për subvencionim të pjesshëm apo, në raste shumë të rënda edhe lirim nga pagesa”, thuhet në reagim.

Këshilli ka kërkuar vëmendje më të madhe të qeverisë së Kosovës në menaxhimin e situatës sociale.

“Do të jetë tmerrësisht e papërballueshme kjo rritje për shumicën e  qytetarëve të Kosovës dhe reagimi i qytetarëve do të jetë i paparashikueshëm. Nuk ka logjikë ekonomike dhe asnjë logjikë të ketë rritje aq drastike të çmimeve kurse pagat dhe pensionet mbesin në pikën zero. Qeveria duhet të jetë më e vëmendshme në menaxhimin e situatës sociale e jo të sponsorizojë humbjet e një kompanie private që ua ka rrjepur lëkurën qytetarëve të Kosovës që nga çasti kur e privatizoi për para të imëta këtë përbindësh gllabërues që jetën e qytetarëve të Kosovës ua  ka rrjepur lëkurën qytetarëve të Kosovës që nga çasti kur e privatizoi për para të imëta këtë përbindësh gllabërues që jetën e qytetarëve të Kosovës ua ka shndërruar në ferr”, vazhdon reagimi.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

ZRrE vendos për tarifat e reja