KMDLNj: Qeveritë e kaluara të japin përgjegjësi për letrën e KFOR-it që mos t'i ndalet rryma komunave në veri

Këshilli për Mbrojtjen e të Dhënave e të lirive të njeriut (KMDLNj) ka reaguar sërish për mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, por jo edhe për katër komunat e veriut.

KMDLNj ka kërkuar sqarim nga qeveritë e mëparshme nëse ka patur bazë ligjore që KFOR-i vite më parë ka ndërhyrë duke kërkuar që t’iu vazhdohet furnizimi me energji elektrike për këto komuna.

Sepse sipas tyre, po bëhet një luftë puro politike midis pozitës dhe opozitës.

“Pozita me këmbëngulësi po e mbronë ZRRE dhe kërkesën për rritje të çmimit të rrymës kurse opozita po e sulmon Qeverinë e Kosovës pse po ua paguan rrymën 4 komunave të Veriut ndonëse të gjitha qeveritë paraprake e kanë bërë të njëjtin veprim . Kryetari i Bordit të ZRRE, para Komisionit parlamentar deklaroi se 4 komuna të Veriut nuk janë përfshirë fare në propozimin për rritje të çmimit të rrymës dhe se kur kanë dashur të ndërprenë rrymën për 4 komuna të Veriut,  shumë vite më parë , nga KFOR kanë marrë një letër se nuk mund ta bëjnë këtë prandaj janë detyruar ta vazhdojnë furnizimin për këto komuna”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj thotë se kërkon përgjigje se kur do të kompensohen qytetarët e Kosovës që për 15 vite janë përballur me fryeje të faturave, teksa e quajnë këtë “plaqkitje”.

“Opinioni kosovar nuk ka qenë i informuar për këtë më parë. Meqë është krijuar një situatë tensionuese dhe një paqartësi për qytetarët e që po manipulohet nga opozita dhe pozita dhe për të sqaruar çështjen që do të ndikonte në shtensionimin e gjendjes, KMDLNj kërkon nga qeveritë e mëparshme një sqarim nëse ka patur bazë ligjore, marrëveshje detyruese të nënshkruar e për të cilën publiku nuk ishte informuar, apo zotim para ndërkombëtarëve ose ndonjë shantazhim që e arsyeton këtë pagesë të rrymës për 4 komunat e Veriut?!”, thuhet mes tjerash.

“Po kjo pyetje vlenë edhe për Qeverinë aktuale që po vazhdon të paguajë rrymën për serbët e Veriut të Kosovës sepse , nëse nuk ka një arsye tepër bindëse, me këtë vazhdim të pagesës po e përligj diskriminimin në baza etnike dhe korrupsionin institucional. Edhe qeveritë paraprake si dhe qeveria aktuale e kanë detyrim të sqarohen para qytetarëve të Kosovës , ndryshe do të jenë përgjegjës për plaçkitje të qytetarëve të Kosovës përmes faturimit të fryer dhe ndarjes së mjeteve për rrymë dhe shërbine të tjera për 4 komunat në Veri të Kosovës përgjatë 20 vjetëve të fundit”, vazhdon reagimi i KMDLNj-së.

Më 25 janar, kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu tha se nga një letër e komandantit të KFOR-it në vitin 2009, Kosovës i është ndaluar që t’i shkyç nga rrjeti elektrik serbët në veri të vendit, ani pse ata nuk paguajnë për rrymën që e shpenzojnë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje që nga e marta në KFOR lidhur më këtë çështje, por që ende nuk janë përgjigje.

Në anën tjetër, katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, nuk janë përfshirë në kalkulimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në kuadër të propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Qytetarët e katër komunave me shumicë serbe, përkatësisht Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveqanit që nga viti 1999 nuk e kanë paguar energjinë elektrike që e kanë shpenzuar, në KEK dhe KEDS.

Deri në vitin 2017, qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës e kanë paguar energjinë që e kanë shpenzuar qytetarët e katër komunave me shumicë serbe. Pagesa është bërë përmes faturave të energjisë, pasi ZRRE-ja në kalkulimin e tarifave e njihte si humbje të energjisë dhe ajo humbje u faturohej qytetarëve që ishin pagues të rregullt të energisë.