Ilustrim

KMDLNj: Përzgjedhja diskriminuese për testim për COVID-19 po rrit numrin e të infektuarve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) mendon se përzgjedhja diskriminuese, e jo në bazë të nevojës së domosdoshme për testim për COVID-19, ka shkaktuar dhe po shkakton rritjen e numrit të të prekurve sikur edhe rritjen e numrit që po përfundon me fatalitet.

Andaj KMDLNj kërkon transparencë dhe monitorim të këtij procesi si dhe qasje në lista, nëse ka të tilla, pas të cilave ndërmerren veprimet.

“KMDLNj mirëkupton autoritetet kosovare se, për shkak të mungesës së testeve nuk mund ta bëjnë testimin në shkallë të gjerë e që do të ishte mënyra më e mirë dhe më efikase për luftimin e pandemisë sikur edhe për ndërmarrjen e masave parandaluese. Mirëpo, në anën tjetër për KMDLNj është e papranueshme, e pakuptueshme dhe e dënueshme, si nga aspekti i të drejtave të njeriut ashtu edhe atij ligjor nëse nuk bëhen testet, madje të detyrueshme”, thuhet në njoftimin e KMDLNj.

Këtu Këshilli ka përfshirë rastet kur në një familje ka të prekur nga COVID-19 ndërsa anëtarët që jetojnë me ta nuk iu bëhen testet, kur ka raste që në të njëjtën familje ka anëtarë me sëmundje të rënda kronike, kur simptomat janë të qarta se janë të të prekur nga virusi, kur mosha është e shtyrë.

“Nuk ka kuptim që të moshuarve mbi 65 vjeç, në emër të mbrojtjes së shëndetit të tyre në mënyrë drastike iu kufizohet liria e lëvizjes kurse, në anën tjetër iu mohohet e drejta e testimit”, vazhdon njoftimi i KMDLNj.

Sipas KMDLNj-së, këto kategori të qytetarëve të Kosovës duhet të kenë prioritet absolut gjatë testimit kurse të tjerët të cilëve testi iu duhet për të lëvizur jashtë vendi, për biznes apo arsye tjera e që nuk bëjnë pjesë në kategoritë e sipërpërmendura, me rrezikshmëri të lartë të infektimit si dhe me kapacitet të madh për të infektuar të tjerët, mund ta bëjnë testimin ne institucionet shëndetësore private dhe jo ta ngarkojnë sistemin shëndetësorë publik.

“KMDLNj përkrah kërkesat e drejta e grupeve të cenueshme e që i janë drejtuar KMDLNj-së për testim në bazë të nevojave e jo në baza diskriminuese. Mbrojtja cilësore shëndetësore, për të gjithë qytetarët është e drejtë e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet nga autoritetet shëndetësore dhe jo vetëm shëndetësore kosovare”, theksohet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se qytetarët e Kosovës, shumica e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë testet prandaj këto duhet të sigurohen falas përjashtuar ata që e kanë këtë mundësi.

KMDLNj kërkon që të rritet numri i testimeve kurse nga Qeveria e Kosovës kërkon të ndajë mjete shtesë për këtë qëllim sikur edhe për punëtoret shëndetësorë.

“Opinioni në Kosovë për çdo ditë po informohet për rritjen e numrit të të prekurve nga virusi sikur që edhe numri i rasteve që po përfundojnë me fatalitet dukshëm është rritur. Arsyetimi i autoriteteve shëndetësore se i vdekuri nga COVID-19 ka pasur sëmundje tjera përcjellëse, të rënda dhe kronike, shkaktojnë huti në opinion aq më parë që nuk po përcaktohet shkaku i vërtetë i vdekjes”, thuhet në njoftim.

Aktualisht në Kosovë janë 5,472 të infektuar ne COVID-19, 2,640 të shëruar dhe 130 të vdekur.