KMDLNj për shtrenjtimin e rrymës: Po rrezikohet mbijetesa e qytetarit

Këshilli për Mbrojtjen e të Dhënave e të lirive të njeriut (KMDLNj) përmes një reagimi ka deklaruar se, rrezikon mbijetesën e qytetarëve kosovar propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

KMDLNj ka konstatuar se ZRrE është e pavarur në marrjen e vendimeve, duke pretenduar se po i shërben edhe qeverisë aktuale.

“Me vet faktin se ZRRE ka luajtur lojë të ndyrë duke ndarë dhe ndëshkuar konsumatorë në baza etnike tregon përkushtimin t’i shërbejë politikës e cila edhe ka qenë sikur që është edhe sot tutor i të gjitha shkeljeve ligjore që i bënë kjo agjenci e “pavarur” që mbron interesat e KEDS , të gjitha qeverive ndërkaq në mënyrë flagrante shkel interesin e qytetarëve të Kosovës sikur që padënueshëm promovon dhe shkel të drejtat e njeriut duke ndarë konsumatorë në baza etnike, serbët janë të privilegjuar duke mos e paguar as edhe një cent të vetëm për rrymën e shpenzuar kurse konsumatorët tjerë, të të gjitha përkatësive etnike , pagues të rregullt dënohen dhe kërcënohen me ngritje t reja të çmimeve e që janë të papërballueshme”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, të gjithë shfrytëzuesit e rrymës, sipas parimit kushtetues duhet të trajtohen të barabartë në të drejtat dhe detyrimet që i kanë.

“Tash kur rritja e çmimit të rrymës thuaja është e pashmangshme, për shkaqe objektive dhe subjektive, i tërë angazhimi duhet të bëhet që kjo rtithe të jetë e përballueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët. Rritja duhet të jetë lineare , të vlejë për të gjithë dhe se konsumatori duhet të paguaj aq sa edhe shpenzon duke përjashtuar çdo ndarje diskriminuese në grupe si 600 , 800 , 1000 1500 , 2000 etj. , që paraqet nonsens , sidomos në rrethanat aktuale”, thuhet mes tjerash në reagim.

KMDLNj ka bërë thirrje që përmes një zgjidhjeje të pranueshme, “të mbrohet interesi i qytetarit të Kosovës në të kundërtën do të vije te përshkallëzimi i situatës për të cilën përgjegjësia do të adresohej”.

“Ashtu siç shtrenjtimi i rrymës do të kishte efekt zinxhiror për qytetarin e Kosovës duke prodhuar shtrenjtime në të gjitha segmentet, po i njëjti efekt zinxhiror do të prodhonte pasiguri politike , në fushën e sigurisë , të investimeve , punësimit dhe të tjera. Sipas KMDLNj aktualisht duhet të bëhen dy gjëra për ta mënjanuar përshkallëzimin; e para duhet të arrihet pajtueshmëri midis palëve për një çmim të përballueshëm dhe jo diskriminues dhe e dyta duhet të informohet opinioni për çmimet reale për faktin se qytetarët po bombardohen me çmime që janë tmerruese ! Po bëhet një luftë e ndyrë për qëllime politike me çmimet e reja të rrymës duke e vënë qytetarin në situatë të sikletshme”, përfundon reagimi i KDMLNj-së.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.