KMDLNJ: Mosnderimi i viktimave të masakrës së Srebrenices, solidarizim me krimin

Kuvendi i Kosovës, ka nisur punimet sot duke mbajtur një minutë heshtje për viktimat e Srebrenicës, por gjatë mbajtjes së heshtjes, deputetët e Listës Serbe janë parë duke e lëshuar sallën.

Në lidhje me këtë ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përkujtim dhe nderim të viktimave të Masakrës së Srebrenicës e bënë një minutë heshtje që ishte detyrim moral të shprehjes së respektit ndaj të gjitha viktimave civile që janë ekzekutuar në luftërat e ish – Jugosllavisë. Ndërkaq, deputetët e Listes Serbe injoruan këtë nderim dhe respekt duke e lëshuar sallën e Kuvendit gjatë kohës së përkujtimit të viktimave të Maskres së Srebrenices. Mohimi dhe injorimi i respektit të viktimave civile të Masakres së Srebrenices nga Lista Serbe është mohim i të gjitha viktimave civile gjatë luftës së fundit, pandjeshmëri ndaj vuajtjeve dhe dhembjes që ende e ndjejnë familjet e viktimave dhe mosgatishmëri që përmes ballafaqimit me të kaluarën të ndërtohet një e tashme e pranuar nga të gjithë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

KMDLNJ ka thënë se mosdistancimi nga krimi është solidarizim me krimin dhe se këtë pikërisht po e demonstron Lista Serbe duke injoruar nderimin për viktimat civile të Masakres së Srebrenices.

“Midis 11-22  korrikut 1995, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të udhëhequra nga gjenerali i ish – ushtrisë jugosllave, Ratko Mlladiq ekzekutuan dhe masakruan afërsisht 8000 civilë boshnjak, të moshave të ndryshme, në Srebrenicë. Ky ekzekutim i pashembulltë i civilëve të pambrojtur boshnjakë u cilësua si gjenocid mirëpo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e mohoi përgjegjësinë direkte të ish – Jugosllavisë për këtë gjenocid. Përgjegjësi direkte për Masakrën e Srebrenicës kishte edhe kontigjenti holandez i ushtarëve të OKB-së që, në vend se t'i mbrojë civilët boshnjakë të zënë robë apo që u dorëzuan duke qenë nën mbrojtje të OKB- së, ata iu dorëzuan gjeneralit serb, Ratko Mlladiq pas së cilës ndodhi masakra më e madhe në Evropë, pas përfundimit të luftës së dytë botërore”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Kuvendi i Kosovës me një minutë heshtje për viktimat e Srebrenicës, Lista Serbe del nga salla – VIDEO