KMDLNj kërkon që të veprohet në lidhje me kërkesat e Sindikatës së Policisë së Kosovës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka njoftuar se përkrah kërkesat e Sindikatës së Policisë së Kosovës për realizimin e të drejtave të zyrtarëve policor.

KALLXO.com ka raportuar dje se Sindikata e Policisë së Kosovës ka paralajmëruar protesta nëse nuk realizohen tri kërkesat e tyre për zyrtarët policor nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kërkesë e kësaj sindikatë është ndryshimi i Ligjit për pensionin e parakohshëm, pagesat e orëve shtesë, përfitimi nga pakoja e rimëkëmbjes dhe pagesat e shujtave. Por, sindikalistët thanë se dy kërkesat e fundit janë më primarë për ta.

KMDLNj ka thënë se sindikata i ka drejtuar qeverisë kërkesat ku edhe janë arsyetuar përpjekjet e vazhdueshme që i bënë kjo sindikatë për realizimin e të drejtave të Policisë së Kosovës e që janë përgjegjësi ekskluzive e qeverisë.

“Kërkesa e Sindikatës së Policisë së Kosovës edhe nga qeveritë paraprake nuk ishin përfillur apo ishin bërë përpjekje për zgjidhje të pjesshme e që nuk përmbushte as përsëafërmi nevojat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës prandaj kjo sindikatë e afatizoi përmbushjen e kërkesave në të kundërtën Policia do të bëjë grevë duke e ndërprerë punën”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka thënë se, sipas ligjeve në fuqi, Policia e Kosovës, nuk ka të drejtë të bëjë grevë.

“Si shërbim shumë specifik dhe i pazëvendësueshëm për sigurinë e qytetarëve si dhe sigurinë e shtetit nuk ka të drejtë të bëjë grevë përveç se mund t’i lejohet që për një kohë të shkurtër përfaqësuesit e tyre të mblidhen duke i adresuar shqetësimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, interesat e të cilëve i përfaqësojnë dhe i mbrojnë. Pas shpërthimit të pandemisë së shkaktuar nga COVID – 19, Policia e Kosovës mori përgjegjësi shtesë, me orar të zgjatur, pa u përcaktuar stimulimi material në përputhje me rrethanat e krijuara”, thuhet tutje në reagim.

KMDLNj vlerëson se kërkesat e listuara nga Sindikata e Policisë së Kosovës janë krejtësisht të arsyeshme dhe të cilat duhet të përmbushen nga qeveria e Kosovës, pa humbur kohë ose pa kërkuar të fitohet kohë për realizimin e tyre e që pastaj nuk realizohen apo realizohen në mënyrë të cunguar e që ndikon në cilësinë e punës së Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës, sipas shumë hulumtimeve është njëri ndër institucionet më të besueshme sikur që konsiderohet njëra ndër institucionet për zbatim të ligjit ndër më profesionalet në rajon prandaj intervenimi i qeverisë së Kosovës duhet të jetë i menjëhershëm në mënyrë që të ruaj dhe përparojë cilësinë e punës së Policisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj thotë se është e papranueshme që Policia e Kosovës të përkrahet vetëm kur të pësojë gjetë punës që e bëjnë.

“Sikur që KMDLNj kërkon që kjo çështje të zgjidhet duke marrë parasysh praktikat më të mira të vendeve të rajonit që kanë krijuar infrastrukturë ligjore e cila nuk lë asnjë hamendësim për trajtimin e policëve , që nga sigurimi shëndetësorë , rritja e pagave në përputhje me rritjen e kostos së shpenzimeve dhe të tjera e që Policia e Kosovës nuk e ka të siguruar me ligjet aktuale”, thuhet në fund të reagimit.