KMDLNj kërkon nga autoritet e Serbisë lirimin e qytetarit Blerim Maqestena

Këshilli për Mbrojtjen e të drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar lirimin e aktivistit të PSD-së,  Blerim Maqestena të arrestuar ditë më parë në Serbi.

Sipas KMDLNj-së, Maqestena mund ta ketë kaluar kufirin ilegalisht për shkak të mungesës së shenjëzimit të kufirit dhe mjegullës që ka qenë.

“Policia e Serbisë është shumë mirë e informuar për veprimtarinë kombëtare dhe politike të Blerim Maqastenës andaj e mbanë të burgosur për një  kundërvajtje  e cilësuar si  kalim ilegal i kufirit në kohën kur kufiri nuk është e shenjëzuar sikur që për shkak të motit me mjegull të madhe mund të ketë ndodhur që e kanë kaluar kufirin, pa e ditur fare se e kanë kaluar dhe pa pasur asnjë qëllim të caktuar”, thuhet në reagim.

Tutje në këtë reagim, ata kanë përmendur edhe raste të tjera të arrestimeve nga ana e policisë serbe në Kosovë.

“ Jemi dëshmitarë që policia e Serbisë, shumë herë ka hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës dhe ka arrestuar qytetarë të Kosovës të cilët i ka mbajtur nën arrest një, apo disa muaj dhe i ka liruar duke iu shqiptuar gjoba në para  sikur që përmes avokatëve, prokurorëve apo gjykatësve të korruptuar i kanë liruar nga arresti pasi iu kanë zhvatur një shumë të madhe parash. Sidomos kishte kanë vepruar me diasporën shqiptare të cilët i kanë arrestuar apo dënuar për vepra që nuk kanë ekzistuar fare, thuhet tutje aty.

KMDLNj ka përmendur se në Komunë e Podujevës vazhdimisht ka pasur incidente ndërkufitare.

“Në kufirin Kosovë–Serbi, në Llap shumë herë ka pasur probleme ndërkufitare, me arrestime, gjuajtje armësh sikur edhe vrasje të qytetarëve të Kosovës. Incidentet ndërkufitare ndodhin kryesisht nga ata që bëjnë tregëti të palejuar–kontabandë nga të dyja palët, në rast të vjedhjeve të pyllit apo bagëtive , në rast të gjuetisëë kur gjuetarët e kalojnë kufirin, gjithashtu nga të dyja palët , në rast të gabimeve për shkak të mosnjohjes së terrenit apo kushteve klimatike dhe në rast provokimi sikur kur policia e Serbisë ndërhynë në territorin e Kosovës të cilin e konsideron si kufi administrativ dhe jo shtetërorë”, thuhet tutje aty.

Tutje në reagim ata kanë përmendur edhe qasjen e ndërkombtarëve duke theksuar se ‘ndërkombëtarët, në këto raste janë të padrejtë sepse arsyetojnë veprimet e policisë së Serbisë ndërsa reagojnë menjëherë nëse policia e Kosovës e arreston ndonjë shtetas të Serbisë’.

Tutje në këtë reagim, KMDLNj ka njoftuar se ndaj të arrestuarve nuk është duke u përdorur dhunë.

Sipas informatave që i ka KMDLNj–ë, të arrestuarit për kalim ilegal të kufirit e që janë, kryesisht në Burgun në Prokupje nuk trajtohen keq dhe ndaj tyre nuk ushtrohet dhunë sikur që iu lejohen vizitat familjare dhe e avokatëve .

KMDLNj shprehur vullnet dhe gatishmëri që të vizitojë shtetasit kosovarë që mbahen të arrestuar në burgjet e Serbisë nëse qeveria e Kosovës përmes zyrës ndërlidhëse e siguron një leje nga qeveria e Serbisë.

“KMDLNj kërkon që Blerim Maqastena të lirohet menjëherë dhe ftonë autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen për lirimin e tij për faktin se nuk ka bërë asnjë vepër me qëllim të caktuar dhe se moti me mjegull dhe mungesa e sinjalizimit të kufirit kanë ndikuar ta gabojë rrugën.

KMDLNj vlerëson se ‘çdo mbajtje e mëtutjeshme në burg e Blerim Maqastenës do të bëhet për shkaqe politike dhe si e tillë duhet të trajtohet’.