KMDLNj kërkon mobilizim më të mirë nga Qeveria për menaxhimin e COVID-19

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut  (KMDLNj),  kërkon nga Qeveria e Kosovës të investojë më shumë në institucionet shëndetësore publike në mënyrë që të rriten kapacitetet profesionale dhe të kursehet buxheti i familjeve që sipas tyre janë skajshmërisht të varfëra.

Përmes një njoftimi Këshilli ka thënë se mospërkrahja e bizneseve për shkak të masave nga qeveria e kaluar dhe qeveria së tanishme janë buzë falimentimit.

“Masat shtrënguese dhe përpjekje për socializim të krizës aktuale, për pasojë do të ketë pasigurinë sociale e cila pashmangshëm do të rezultojë me protesta të qytetarëve , siç po ndodhë në disa vende të rajonit dhe të botës” thuhet në njoftim.

Në reagimin e Këshillit thuhet se shumë shtete i kanë vendosur kusht qytetarëve të Kosovës dëshmi se e kanë bërë testin COVID-19, jo më herët se 72 orë në mënyrë që të lejohet të hyjnë në ato shtete.

Ndërkohë,sipas tyre Qeveria Hoti , në përpjekje për ta luftuar pandeminë, me disa masa e për të cilat KMDLNj  mendon se nuk do të arrijnë efekt, ka marrë vendim që edhe institucionet private shëndetësore kanë të drejtë të bëjnë teste për COVID-19.

Sipas Këshillit këto teste i kanë bërë ilegalisht edhe pa vendim të qeverisë dhe  që në mungesë të kontrollit krijon kushte për një korrupsion legal.

“KMDLNj- së i është lajmëruar një qytetar të cilit një klinikë private i ka kërkuar 120 euro për një test COVID-19, e që është shumë më e lartë se në vendet e rajonit ku çmimi është 20 euro” shkruan Këshilli.

Sipas tyre, në kohën kur Qeveria nuk  është në gjendje të paguaj ndihmën sociale prej 170 eurosh të punësuarve  edhe për shkak të papërgjegjësisë së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta votuar rishikimin e Buxhetit, Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Ligjin anti COVID- 19, për shkak të varfërisë që po merr përmasa shqetësuese, 120 euro por edhe 20 euro për një test, COVID-19 del të jetë luksoz për qytetarët.

Sipas Këshillit  dhënia e prioriteteve politike siç janë bisedimet e imponuara me Serbinë në kohën kur shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë prioritet mbijetesën, paraqet nonsens të llojit të vet dhe pasojat do të shihen shumë shpejt.

“Përballë shumë lëshimeve që i ka bërë Kosova, në të shumtën e rasteve në dëm të saj, KMDLNj pyet vendimmarrësit ndërkombëtarë ; ku janë vizat ?” shkruhet në njoftim.

Tutje, është thënë se KMDLNj ka kërkuar që  qytetarët të furnizohen falas me maska mbrojtëse , doreza dhe material dezinfektues në mënyrë që nëse nuk nuk i respektojnë masat atëherë edhe mund të sanksionohen.

Sipas tyre edhe  në kohën e Qeverisë Kurti edhe Qeverisë Hoti ka pasur shumë donacione që janë ndarë edhe mjete nga Buxheti i Kosovës mirëpo çmimi i maskave , dorezave dhe dezinfektuesve ka qenë shumë i lartë dhe i papërballueshëm për një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës.

Ndër të tjerash është thënë se edhe Qeveria Hoti ka mundësi që  nuk ka projekt për furnizim me masa mbrojtëse falas për qytetarët e Kosovës prandaj, në këto rrethana socio – ekonomike kërcënimi me dënim për ata që nuk bartin maska nuk është i duhur e as i qëlluar.