KMDLNj i reagon ambasadorit gjerman për shtëpinë e Xhafer Devës
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas postimit të ambasadorit gjerman në Prishtinë lidhur me restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës.
Një ditë më parë ambasadori gjerman në Prishtinës, Joern Rohde, përmes një postimi në Twitter ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me planet e Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.
Përmes një komunikate KMDLNJ e quan të pa drejtë ndërlidhjen e Xhafer Devës me krimet e kryera ndaj hebrenjve, sidomos raportimet nga mediat në Serbi lidhur me këtë çështje.
Sipas KLMDNJ-së, është i njohur kampi famëkeq i Beogradit ku ishin internuar hebrenjtë të cilët , ose vriteshin aty ose transportoheshin me “trenat e vdekjes” në kampet e përqendrimit në Austri, Gjermani dhe Poloni.
Sipas KLMDNJ-së, Deva me ndihmën dhe përkrahjen e lobit hebre dhe të aleatëve amerikanë u vendos në SHBA”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e KLMDNJ-së.
“Xhafer Deva sulmohet nga kundërshtarët e proveniencës komuniste apo sllavokumuniste si bashkëpunëtor i nazizmit ndërsa nga një pjesë jo e vogël e shqiptarëve ai konsiderohet si patriot që ka luftuar për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve duke e udhëhequr Lidhjen e Tretë të Prizrenit. Pas luftës, me ndihmën dhe përkrahjen pikërisht të lobit hebre dhe të aleatëve amerikanë u vendosë në Palo Alto në Kaliforni, ShBA ku u sistemua si administrator në Universitetin me renome botërore të Stanfordit”, thuhet më tej në komunikatë.
“Ndërkaq, KMDLNj-ë i përkujton ambasadorit Rohde se vet Hitleri dhe Gjermania naziste ishte frymëzuar nga kompozitori i shquar, Richard Wagner sikur që edhe uniformën e ushtrisë naziste e kishte dizajnuar stilisti Hugo Boss, emër i shquar në botën e modës. A duhet tani ta ndalojmë muzikën e Wagnerit dhe ta ndalojmë gjithashtu veprimtarinë e Hugo Boss-it për shkak të një të kaluare që e kanë pasur?!”, thuhet më tej në komunikatën e KMLDNJ-së.