COVID-19

KMDLNJ: Bërja publike e emrave të infektuarve është shkelje e të drejtave të njeriut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas një konference për media nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili deklaroi se po shqyrtohet mundësia që të bëhen publik emrat e të infektuarve me COVID-19.

Sipas KMDLNJ nëse miratohet ky vendim, i cili mund të ketë qëllim të mirë në aspektin parandalues apo informues për personat e kontaktit mirëpo ia kujton kryeministrit Hoti se ky veprim, pa pëlqimin e të infektuarit shkelë Ligjin mbi Privatësinë dhe, në të njëjtën kohë paraqet shkelje të drejtave të njeriut.

“Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mundësi që të infektuarit, me vullnetin e tyre dhe në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, ata vet t’i lajmërojnë personat e kontaktit. Ose, pa pasur nevojë të bëjnë publik emrin e të infektuarve mund të formohet një shërbim i cili do të kontaktonte personat e kontaktit, do t’i thërriste për t’ua bërë testin duke iu rekomanduar edhe masat mbrojtëse” thuhet në reagim.

Ndër të tjerash, KMDLNJ ka kërkuar hetime për punësimet e punëtorëve shëndetësorë dhe mos pranimin e vullnetarëve të cilët kontribuan gjatë pandemisë dhe se këto punësime kanë kriter nepotizmin partiak dhe klientelizmin politik.

Jehona Krasniqi, vullnetare në Klinikën Infektive, para dy ditësh kishte reaguar në emër të vullnetarëve që janë paraqitur në Klinikën Infektive gjatë kohës së pandemisë duke punuar pa pagesë.

Ajo ka reaguar për konkursin e Ministrisë së Shëndetësisë pasi, sipas saj, nga 8 vullnetarë që kanë aplikuar në këtë konkurs vetëm njëri prej tyre është pranuar.