Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

KMDLNJ bën thirrje tek autoritetet kosovare që të kryejnë detyrimet ndaj Gjykatës Speciale

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale.

“Me urdhër të Gjykatës Speciale në Hagë, policë të EULEX – dje arrestuan, Salih Mustafën – Calin, pas, siç u deklarua kjo Gjykatë më vonë ndaj tij ishte konfirmuar aktakuza nga gjykatësi i caktuar po nga kjo Gjykatë. Gjatë tërë procesit, autoritetet vendore ishin përjashtuar krejtësisht nga operacioni i arrestimit sikur edhe gjatë ndërhyrjeve të përditshme në zyrat e OVL-së së UÇK-së nga persona të panjohur, me rroba civile kurse sot, një numër i madh i policëve të EULEX-it, të armatosur rëndë bastisën këto zyra sikur që arrestuan kryetarin, Hysni Gucati, pa dhënë, së paku deri më tani arsyet e arrestimit”, thuhet në reagim.

Sipas KMDLNJ-së, zyrtarët policor  penguan gazetarët duke mos i lejuar ta bëjnë punën për çka edhe janë të thirrur.

“Këtyre arrestimeve i parapriu rrjedhja e dokumenteve të Gjykatës Speciale e që përfunduan para derës së zyrës së veteranëve të luftës të cilët pastaj ua shpërndanë disa mediave e që pastaj ua konfiskuan hetues apo policë të Gjykatës Speciale. KMDLNj- vlerëson se ndërhyrja e hetuesve apo policëve të Gjykatës Speciale është dashur të bëhet në Hagë sepse nga aty kanë rrjedhur dokumentet e kësaj Gjykate andaj, me këtë neglizhencë, pavarësisht nga motivet, Prokuroria e Gjykatës Speciale skajshmërish ua ka rrezikuar jetën dëshmitarëve të mbrojtur dhe tani lirisht mund të thuhet se më nuk ka dëshmitarë të mbrojtur, pasi vet Gjykata Speciale krijoi kushte për dekonspirimin e tyre”, thuhet në reagim.

KMDLNJ ka thënë se Kuvendi i Kosovës , me votim të 2/3 të deputetëve miratoi ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës duke e veshur këtë Gjykatë me 100% autorizime dhe duke zhveshur autoritetet kosovare nga të gjitha të drejtat që ua njeh mandati i tyre.

“Sidomos aneks marrëveshja e nënshkruar ashtu siç ka dashur Gjykata Speciale e vë Kosovën dhe autoritetet e saj në një pozitë të nënshtrimit të skajshëm e që nuk ishte kështu as në kohën e kolonializmit më të egër. Paradoksalisht thuhet se kjo Gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës në ndërkohë që nuk kanë të drejtë ta ndryshojnë as edhe një pikë të vetme nga kjo marrëveshje. Në këto rrethana është krijuar një situatë e rëndë për të arrestuarit , familjet e tyre dhe avokatët mbrojtës nga Kosova që nga autoritetet e Holandës trajtohen si punëtorë krahu për faktin se pajisen me viza për aq ditë sa janë me klientë e që është veprim i pashembullt për faktin se duhet të udhëtojnë shpesh”, thuhet në reagim.

KMDLNj ka bërë thirrje tek autoritetet e Kosovës që të përmbushin detyrimet që i kanë për të siguruar mbrojtje efektive dhe cilësore për ata që do të gjykohen sikur që të mbulojë të gjitha shpenzimet për familjarët e tyre shkaku se ata duhet të vizitojnë anëtarët e arrestuar të familjes të cilët përkundër vullnetit të tyre dhe përkundër Rregullave Evropiane të Burgjeve mbahen shumë larg familjeve.

“KMDLNj kërkon të respektohet parimi se askush nuk mund të shpallet fajtor pa vendim të prerë të Gjykatës përkatëse prandaj kërkon përmbajtje nga të gjitha palët për faktin se në një mjedis skajshmërish të tensionuar, pak duhet që situata të eskalojë deri sa të bëhet e pamenaxhueshme. KMDLNj e ka të qartë se EULEX ka kërkuar vazhdim të mandatit vetëm ta përkrah Gjykatën Speciale me arrestime dhe se Gjykata Speciale në asnjë rrethanë nuk mund të zhbëhet andaj thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare janë krejtësisht të jo sinqerta dhe po përdoren për qëllime politike për të bërë presion te pala kosovare në procesin e bisedimeve”, thuhet në reagim.

Sot njësia speciale e Policisë së EULEX-it ka bastisur zyret e OVL UçK-së, ku u arrestuar kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati.

Aksioni ka filluar para orës 12:00 dhe është ende duke vazhduar.

Ky aksion vije disa javë pasi zyrtarë të kësaj organizate deklaruan se në zyre te tyre një person anonim po i sjell dosje të Gjykatës Speciale.

Forca shtesë të EULEX-it janë parë të kenë arritur te zyrat e OVL – UÇK një orë pasi një kontingjent i policisë speciale filluan bastisjen në zyrat e kësaj organizate.

Ekipi i KALLXO.com i cili po qëndron në vendin e ngjarjes ka raportuar se përveç policëve janë parë edhe zyrtarë civilë të cilët në duar mbanin pako.