KMDLNj: Akuzat midis partive politike dhe mediave po ndikojnë në tensionimin e situatës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një komunikate për media ka thënë se akuzimi midis partive politike dhe mediave, po ndikon drejtpërdrejt në tensionimin e situatës në vend, para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

KMDLNJ ka kërkuar që politikanët, analistët dhe mediat t’i shmangen fjalorit të dhunshëm, fyes, degradues, sipas tyre, në një mënyrë apo tjetër do të kontribuojë në tensionimin negativ të situatës.

“Për KMDLNj është me rëndësi që mediat të mbajnë raport jodiskriminues me subjektet politike në rrafshin e ofrimit të hapësirës mediale, në përputhje me forcën përfaqësuese politike e që, së paku deri më tani është respektuar”.

Tutje, në komunikatë thuhet se KMDLNj konsideron se mediat nuk kanë asnjë përgjegjësi për rezultatet që i bëjnë publike disa analistë, gazetarë apo institucione që bëjnë hulumtime.

“Në këtë kontekst, KMDLNj thërret subjektet politike të kenë kujdes me mediat, ta ndërtojnë frymën e bashkëpunimit reciprok në mënyrë që publikut t’i ofrojnë kohë dhe mundësi të përcjellin debate konstruktive, t’i bëjnë publike programet politike dhe ekonomike, gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe mundësitë e krijuara apo, më mirë të thuhet, të kufizuara për shkak të pandemisë”, thuhet në komunikatën e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.