Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkon lirim nga TVSH-ja në produktet vendore

Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkoi nga Qeveria e Kosovës lirim nga Tatimi për Vlerën e Shtuar (TVSH) për blerje të produkteve dhe shërbimeve vendore.

Në komunikatën e lëshuar për media thuhet se “një masë e tillë do t’i inkurajonte blerjet e prodhimeve vendore, do të stimulonte konsumin dhe do t’i ndihmonte punëtorët në fabrika që t’i ruajnë vendet e tyre të punës, në këtë kohë të pandemisë”.

TVSH-ja është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime, pa marrë parasysh origjinën e tyre.

Nga viti 2015, në Kosovë janë të përcaktuara dy norma të TVSH-së: norma standarde 18 për qind dhe norma e reduktuar 8 për qind.

Disa nga shërbimet dhe mallrat që tatohen me 8 për qind janë faturat e shpenzuara të ujit, ato të energjisë elektrike dhe të ngrohjes, pastaj prodhimet nga drithërat dhe qumështi, vajrat për gatim, librat shkollorë, pajisjet e teknologjisë së informacionit e të tjera.

Për produktet ose shërbimet e tjera, TVSH-ja është 18 për qind.

Klubi i Prodhueseve tha se “përkrahja e kompanive prodhuese të produkteve dhe shërbimeve vendore është e domosdoshme”.

Një masë të tillë, sipas Klubit të Prodhuesve, e ka ndërmarrë edhe Maqedonia e Veriut, ku qytetarët, gjatë periudhës së fundjavës, kanë mundësi të blejnë produkte dhe shërbime maqedonase dhe, pas blerjes, TVSH-ja iu kthehet në llogaritë e tyre. /REL