FOTO FCB Klubi i Prodhuesve Vendor

Klubi i Prodhuesve përkrah qëndrimin e Kurtit për tarifën

Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka njoftuar se përkrahin vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për largimin e tarifës 100% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

“Ne si Klub jemi prapa çdo vendimi i cili do të mbronte dhe avanconte interesat shtetëror të Kosovës. Të gjitha vendimet duhet të merren në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe BE-në”, thuhet në komunikatën për media.

KPK më tej ka shkruar se shpresojnë që kjo masë do rezultojë në eliminimin e të gjithave barrierave tregtare si ato tarifore dhe jo tarifore, po ashtu të krijojë mundësinë që përfundimisht të krijohen marrëdhënie për tregti të lirë me Serbinë e cila mbështetet në parime të ndërsjella.

“Shpresojmë shumë që largimi i tarifës 100% do të vlerësohet si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për fillimin e zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, thuhet më tej në njoftim.

Kryeministri i Kosovës dje pasdite në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka njoftuar për vendimin e Qeverisë për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.

Sipas Kurtit, më 15 mars do të hiqet tarifa ndaj lëndës së parë të importuar nga Serbia e Bosnja, kurse nga 1 prilli do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditore, me mundësinë e rikthimit në rast se Serbia nuk ndryshon sjelljen ndaj Kosovës.

Albin Kurti: Nga data 15 mars hiqet tarifa për lëndën e parë nga Serbia