Klubi i Prodhuesve dërgon mbi 200 ton produkte ushqimore në Shqipëri

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka dërguar ndihma për të prekurit e tërmetit që ndodhi dje në Shqipëri.

“Ndihmat e para janë produkte të domosdoshme për të prekurit, ku janë dërguar mbi 200 ton produkte ushqimore, por edhe dyshek, batanije dhe produkte të ndryshme të sanitare”, thuhet në njoftim. Këto ndihma janë dhuruar nga prodhuesit e Kosovës që të ju dalin në ndihmë të gjithë të prekurve nga kjo katastrofë natyrore.

Tutje Klubi i Prodhuesve ka njoftuar se kompanitë të cilat këtë herë e kanë përkrahur këtë aksion humanitar janë Devolli Group, M&Sillosi dhe Comodita, Rugove, Fluidi, Frutex, dhe Flutura.

‘Klubi i Prodhuesve sinqerisht bashkë ndjenë me të gjithë qytetarët shqiptarë dhe i shprehim ngushëllime familjeve të viktimave, me shpresën që numri i tyre të mos rritet dhe pasojat të jenë sa më të vogla. Jemi me të gjithë të lënduarit dhe me ata që mbeten pa kulm mbi kokë nga kjo katastrofë e natyrës”, njofton Klubi i Prodhuesve.

Deri më tani bilanci i viktimave nga tërmeti është 31 persona, ndërkohë që shifra zyrtare e raportuar është 25 duke krijuar një diferencë në shifra për shkak se ka një mospërputhje për disa viktima të cilat ende nuk janë identifikuar.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe në Durrës, të cilat janë zonat më të prekura nga tërmeti, ndërkohë që 27 Nëntori është zyrtarisht Ditë Zie Kombëtare.