Klubet gjilanase ndeshjet e Superligës do t'i zhvillojnë në një fushë ndihmëse me bar sintetik

Dy klubet gjilanase, Drita e Gjilani, ndeshjet e Superligës do t’i zhvillojnë në një stadium ndihmës ku fusha është me bar sintetik.

Kështu ka njoftuar Komuna e Gjilanit pas vizitës që kryetari Alban Hyseni u bëri punimeve për modifikimin e stadiumit ndihmës.

Kryetari i Komunës ishte i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Mentor Mihovci dhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri.

“Në stadiumin ndihmës kemi filluar modifikimin e hapësirës me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillimin e ndeshjeve të Superligës. Është njëra prej masave le të themi emergjente me qëllim që stadiumit të qytetit t’i krijohet hapësirë për punë, ndërkaq në momentet kur nuk mund të zhvillohen ndeshjet për shkak të kushteve atmosferike, do të mundësohet që ndeshjet e Superligës të zhvillohen edhe këtu, le të themi në kushte minimalisht të përshtatshme”, ka thënë kreu i Komunës, Alban Hyseni.

“Ajo çfarë është kërkuar edhe prej Federatës në takimin e përbashkët është prerja e rrethojës përreth fushës ndihmëse, zhvendosja e dy shtyllave që e mbajnë ndriçimin e kësaj fushe dhe vendosja e tri platformave për instalimin e sistemit VAR, në mënyrë që të plotësohen edhe kriteret bazë ose elementare për zhvillimin e ndeshjeve”, ka shtuar kryetari Hyseni.

Po ashtu, kryetari i Gjilanit ka thënë se do të bëjnë një skanim të detajuar të gjendjes së stadiumit të qytetit.

“Na duhet një skanim i detajuar i gjendjes së stadiumit të qytetit, i punimeve të zhvilluara, i situacioneve që janë dorëzuar e i pagesave që janë bërë, në mënyrë që ne të mund ta bëjmë prerjen dhe të vazhdojmë tutje me stadiumin. Ne jemi zotuar që brenda këtij viti do të përshpejtohet jashtëzakonisht shumë niveli i punëve, ndërkaq po planifikohet që projektin e munguar final ta përfundojmë brenda një periudhe të shkurtër kohore, që t’i zhvillojmë punimet e t’i përfundojmë në fazën e parë dhe të kontraktohet edhe faza e dytë”, ka deklaruar kreu i Gjilanit, Alban Hyseni.

Këtu mund të gjeni të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me stadiumin e qytetit në Gjilan.