
Pamje nga ekspozita ‘Gjon Mili’ 2025. Foto: KALLXO.com.
Klodiana Millona dhe Endi Tupja, fituese të çmimit "Gjon Mili" - FOTO
Vepra “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita” e autorëve Klodiana Millona dhe Endi Tupja ka fituar çmimin “Gjon Mili”, që ndahet në kuadër të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, “Gjon Mili”.
Edicioni 17 i kësaj Ekspozite të titulluar “Ajo që ia thotë këngës…” është hapur më 23.01.2025. Ekspozita dhe çmimi “Gjon Mili” organizohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK).
GKK ka bërë të ditur se çmimi “Gjon Mili” është ndarë nga një juri në përbërje të: Marina Grzinic (Slloveni), Zef Paci (Shqipëri) dhe Stamatis Schizakis (Greqi).
“Çmimi i ndahet veprës ‘Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita’ nga Klodiana Millona dhe Endi Tupja. Kjo vepër sintetizon elementet më kritike të temës së Ekspozitës – duke zgjeruar dhe forcuar idenë e fuqisë dhe dukshmërisë. Vepra mishëron tensionet midis përkatësisë dhe mospërkatësisë, midis gjuhës dhe etnicitetit – çështje thellësisht karakteristike për rajonin e Ballkanit. Juria u prek nga mënyra se si vepra i trajton këto tema në një mënyrë të angazhuar dhe të ndjeshme.” – thuhet në njoftimin e GKK-së.
Ekspozita e 17 Ndërkombëtare e Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, “Gjon Mili”, e titullar “Ajo që ia thotë këngës…” është kuruar nga Valentina Umansky.
Në këtë Ekspozitë janë përfshirë veprat e 23 artistëve – pjesa më e madhe e tyre nga Ballkani, të përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në GKK deri më 30.03.2025.

