Kllokoti hap konkurs për arsimtar të Gjuhës Ruse, MAShT-i s’ka të dhëna nëse ajo mësohet në shkollat serbe

Komuna e Kllokotit ka hapur konkurs për punësimin e dy mësimdhënësve për Gjuhën Ruse, derisa Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nuk ka të dhëna nëse kjo lëndë mësohet në shkollat e sistemit paralel në vend.

Më 1 tetor të këtij viti, Komuna e Kllokotit, që është komunë me shumicë serbe, ka shpallur konkurs për mësimdhënës për lëndë të Gjuhës Ruse.

Komuna e ka hapur këtë konkurs për shkollën fillore “Marko Rajkoviç” në Vërboc dhe shkollën tekniko-ekonomike në po këtë fshat për dy mësimdhënës.

Sipas konkursit, mësimdhënësit e Gjuhës Ruse do të kenë kontratë të punës me afat të pacaktuar dhe me gjysmë norme.

Por, mësimi i Gjuhës Ruse nuk është i përfshirë në kurrikulën e Kosovës dhe Komuna e Kllokotit e ka bazuar këtë konkurs me ligjet e Kosovës, përfshirë Ligjin e Punës, Udhëzimet Administrative për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm dhe atij profesional.

Konkursi ka qenë i hapur deri sot, por për këtë çështje Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka qenë në dijeni.

Ata nuk kanë informacione nëse lënda e Gjuhës Ruse mësohet në shkollat që mësojnë komuniteti serb në Kosovë.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci tha sot se nuk kanë informacione nëse kjo lëndë mësohet në shkollat që mësojnë nxënësit serb.

“Ne e dimë që shkollat serbe në Kosovë punojnë me kurrikulën e Serbisë dhe janë duke u bërë përpjekje që kjo çështje të zgjidhet dhe është një çështje e ndjeshme politike. Nuk kam informacion nëse Gjuha Ruse është pjesë e kurrikulës së Serbisë, por mund të supozoj që është sepse përpara ka qenë si një ndër gjuhët e mundshme”, tha Pupovci në një konferencë për media.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje zyrtarëve të Komunës së Kllokotit për të marrë detaje rreth konkursit të shpallur, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, shkollat funksionojnë me sistem paralel duke përdorur kurrikulat e Serbisë.

Madje, të dhënat statistikore të arsimit nëpër shkollat serbe, veçanërisht në komunat me shumicë serbe, mungojnë pothuajse në tërësi. Ndryshe, përjashtim bënë vetëm Komuna e Kamenicës në të cilën të dhënat për vijueshmërinë e mësimit nga nxënësit e këtij komuniteti regjistrohen. Sipas data-bazës së vitit të kaluar, në këtë komunë janë 229 nxënës nga komuniteti pakicë serb.