Kllokot, zyrtari akuzohet se vodhi 10 litra naftë të paguara nga komuna

Vlasta Bogdanoviq, asistent i kryesuesit të Kuvendit Komunal të Kllokotit, doli sot para Gjykatës së Gjilan si i dyshuar se vodhi naftë të paguar nga buxheti komunal.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari gjatë muajit prill të vitit 2019, në pompën e benzinës “Tina Petrol” në Kllokot, kishte regjistruar se e kishte mbushur veturën zyrtare me 70 litra karburant, ndërkohë që në rezervuar i kishte hedhur vetëm 60 litra.

Aktakuza thotë se më vonë, Bogdanoviq kishte shkuar me veturën private të tipit “Renault” në të njëjtën pompë dhe kishte marrë 10 litrat e paguara nga buxheti i komunës, të evidentuara paraprakisht në faturë.

Në fillim të seancës i akuzuari deklaroi se nuk e pranon fajësinë.

“Nuk e pranoj fajësinë sepse nuk e kam kryer këtë vepër penale ashtu siç më akuzon Prokuroria”, tha ai.

Kryetari i trupit gjykues Islam Thaçi, pas dëgjimit të akuzuarit e njoftoi atë se mundet të paraqesë kërkesë për hedhjen e akuzës brenda afatit ligjor.

Seanca e sotme u shty për kohë të pa caktuar.

Kujtojmë se Kryetari i Kuvendit Komunal në Kllokot është Zharko Dejanoviq.