Komuna e Kllokotit

Kllokot, pritjet e qytetarëve karshi premtimeve të politikanëve

Në komunën që gjendet si ishull brenda Komunës së Vitisë dëgjohen interpretime të ndryshme mbi punën që qeverisja lokale e ka bërë.

Nga ana e zyrtarëve komunalë thuhet se është investuar shumë në infrastrukturë urbane, kurse nga banorët dëgjojmë ankesa për ujë, kanalizim por edhe infrastrukturën e premtuar.

“Të gjitha projektet që i planifikuam u përfunduan me sukses në 99 përqind të rasteve. Kemi asfaltuar të gjitha rrugët në komunë, përfshi edhe atë që çon në kompleksin Banja e vjetër, kështu që tani nuk ka rrugë pa asfalt”, thotë Dejan Vllajkoviq, drejtor i Departamentit për Kadastër, Urbanizëm dhe Gjeodezi në Komunën e Kllokot – Vërboc.

Shtrirja e asfaltit në rrugën që çon në Banjë, Foto: Komuna e Kllokotit

Siç tha ai është rregulluar qendra e fshatit Vërboc, është instaluar ndriçimi rrugor në të gjitha fshatrat e Komunës.

Komuna e Kllokotit shtrihet në një sipërfaqe prej 2.336 hektarësh dhe përfshin fshatrat Vërboc, Gërnçar, Kllokot dhe Mogillë. Mbizotëron popullsia serbe, ndërsa një numër më i madh i shqiptarëve jeton në Kllokot dhe Mogillë.

Nga ana tjetër, shqiptarët nga kjo komunë nuk e mohojnë që ka pasur investime, por po ashtu pohojnë se është e nevojshme të investohet edhe në vendbanimet ku jetojnë ata sepse kanë nevojë për asfalt dhe kanalizim.

Madje banorët thonë se ndriçimi është një problem tjetër për ta.Gjatë natës ata nuk lëvizin në këmbë pasi rruga e fshatit nuk ka ndriçim publik

“Nuk kemi ndriçim, kemi kërkesë për kryetarin e komunës që të na rregullojë ndriçimin”, thotë Fatlum Shaqiri nga Mugilla.

Ai gjithashtu ankohet për mungesë të ujit.

“Ujin e sigurojmë nga fshatrat përreth dhe e blejmë. Ne nuk kemi ujësjellës funksional, arsyet nuk i dimë saktësisht”, thotë ai.

Dejan Vllajkoviq nga Departamenti Komunal për Kadastër, Urbanizëm dhe Gjeodezi thotë se nuk bëhet asnjë dallim midis qytetarëve.

“Kësaj ia kushtojmë një rëndësi të veçantë, kishte investime infrastrukturore edhe në ato pjesë të komunës ku jetojnë shqiptarët, kemi asfaltuar disa rrugë, e këto ditë jemi duke përfunduar punimet për rrethimin e shkollës shqipe në fshatin Mogillë”, tha Vllajkoviq.

Shkolla shqipe e cila po rrethohet për momentin

Bujqësia, investimet dhe sfidat

Turizmi i banjave dhe bujqësia janë fusha nga të cilat komuna planifikon të përfitojë dhe të zhvillohet, prandaj për këtë arsye priten investime në këto dy industri. Kjo zonë është e pasur me ujë, toka është pjellore dhe kjo është arsyeja kryesore pse më shumë se 90 përqind të popullsisë në Kllokot, Mogillë, Vërboc dhe Gërnçar merren me bujqësi dhe jetojnë prej saj.

Deri vonë, uji, i cili është i bollshëm këtu, dinte të paraqiste problem të madh për bujqit në këtë zonë. Gjatë sezonit të shirave dilte uji nga kanali duke përmbytur arat përreth. Komuna thotë sei kuptoi kërkesat e bujqve dhe vendosi t’u ndihmojë.

Pastrimi i shtratit të lumit, Foto: Komuna e Kllokotit

Dejan Vllajkoviq thotë se ishte angazhuar makineria e rëndë për pastrimin e shtratit të lumit Zhitinjkë, por edhe të kanalit për ujitje.

“Pastruam disa kilometra të kanaleve dhe shtratin e lumit, i mbushëm rrugët e fushës me zhavorr dhe kështu u mundësuam bujqve të kultivojnë në mënyrë të sigurt dhe pa rreziqe në pronën e tyre”, thotë Vllajkoviq, duke theksuar se kjo zgjidhi një problem me të cilin bujqit e këtij vendi ishin ballafaquar me dekada.

Zoran Nojkiq, prodhues bujqësor nga Mogilla, thotë se problemi më i madh për bujqit e kësaj zone ishin rrugët nëpër fusha dhe lumi që dilte nga shtrati.

“Ne mbjellim speca ose patate në pranverë dhe lumi vërshon dhe përmbyt gjithçka dhe ne nuk mund ta shfrytëzojmë tokën tonë. Me kërkesë të të gjithë banorëve të zonës, Komuna u angazhua dhe pastroi kanalet në gjatësi prej 2 kilometrash. Na premtuan se do të pastronin të gjitha kanalet vitin e ardhshëm. Ato nuk janë pastruar nga shkurret, bari dhe mbeturinat për më shumë se 30 vjet”, thotë Nojkiqi.

Zoran Nojkiq tregon një kanal të pastruar pranë arave pjellore

Toka pjellore dhe njerëzit e vyeshëm që në këtë zonë prodhojnë në veçanti speca, lakra, patate dhe kultura të tjera nuk mjaftojnë që produktet e tyre të gjejnë rrugën e tyre tek blerësi. Bujqit thonë se nuk është problem prodhimi i ushqimit, por shitja dhe presin që vetëqeverisja lokale t’u ndihmojë në këtë drejtim.

“Të gjithë ne këtu jemi njerëz të vyeshëm, nuk kemi frikë nga puna, jemi të aftë të prodhojmë gjithçka, nuk e lëmë tokën të papunuar, një bujk mund të prodhojë afër 500 tonë speca, patate, domate, çka të dëshironi, por nuk kemi treg. Na duhet që dikush të blejë produktet tona”, thotë Zoran Nojkiq dhe shton se do të punohej edhe më shumë edhe më mirë po të kishte investitorë.

Problemet me kanalizimin

Një nga sfidat kryesore në infrastrukturën e kësaj komunë, e cila prek drejtpërdrejt popullatën serbe dhe atë shqiptare është kanalizimi, i cili nuk ekziston pothuajse në asnjë fshat.

Vërboc, qendra e fshatit

Banorët e Vërbocit ankohen se nuk kanë kanalizim dhe pohojnë se uji i pijshëm në fshatin e tyre nuk është për përdorim njerëzor. Për shkak se nuk ka kanalizim, edhe uji për pije në puse nuk është në rregull.

Sllobodan Jovanoviq nga Vërboci thotë se vendasit u mashtruan nga adresimi i autoriteteve komunale se në të gjitha fshatrat do të ndërtohet kanalizimi.

“Nuk ishte ashtu, na thanë që të gjithë do të jemi në gjendje të lidhemi me sistemin e kanalizimit, por vetëm disa shtëpi janë lidhur, ndërsa kanalizimi u ndërtua vetëm në fshatin fqinj Podgorcë”, pohon Jovanoviqi.

Kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, thotë se ndërtimi i sistemit të kanalizimit në fshatrat e komunës është një nga investimet kapitale që planifikohet të bëhet në vitin 2021.

“Nuk mund t’i bëjmë të gjithat përnjëherë, kemi asfaltuar rrugë, gërmuar kanale, mbushur rrugët nëpër fusha, rinovuar dhe rrethuar shkollën, kemi vendosur shenja në rrugë”, tha Dejanoviq në një deklarim përmes telefonit.

Kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq

(Kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq)

Ai deklaroi se një linjë e kanalizimit nga Prugoci i afërt ka kaluar nëpër Vërboc, por që ajo ishte një projekt i komunës së Vitisë.

“Kjo është bërë nga një komunë tjetër dhe nuk ishte kanalizimi për Vërbocin, i cili është në plan të bëhet sapo të sigurohen mjetet. Fakti që dikush në fshat ka kanalizim e dikush nuk ka është sepse iu është lejuar kyçja në këtë rrjet banorëve pranë shtëpive të të cilëve kaloi gypi”, shpjegoi Dejanoviq.

Si shumica e komunave serbe, Kllokoti nuk ka plan urbanistik. Në fakt, siç kemi kuptuar, ekzistonte një plan i detajuar për këto fshatra sa ishin pjesë e Komunës së Vitisë.

“Nuk kemi një plan urbanistik të detajuar, por jemi në proces të hartimit të hartave zonale. Ajo që na paraqet problem është mungesa e mjeteve sepse është e nevojshme të ndahen shumë para për të hartuar harta zonale, ndërsa neve gjithashtu na mungon edhe stafi profesional”, thotë drejtori i Departamentit për Kadastër, Urbanizëm dhe Gjeodezi, Dejan Vllajkoviq.

Vendimi për hartimin e hartave zonale u miratua në një nga seancat e Kuvendit Komunal dhe kërkesa iu dërgua ministrisë përgjegjëse, mbetet për të gjetur një investitor potencial i cili do të ndihmonte në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, nuk pritet vetëm hartimi i hartave zonale, por edhe hapja e një çerdheje e cila u ndërtua dhe është e zbrazët tashmë për vite sepse komuna nuk ka mjete për të punësuar punëtorë.

 

Çerdhja nuk është në funksion edhe pse ndërtesa e re është ndërtuar disa vjet më parë

Sipas të dhënave jozyrtare, afërsisht 3,000 persona jetojnë në fshatrat e Komunës së Kllokotit, nga të cilët gati gjysma janë shqiptarë.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).